Raportimi dhe transparenca në industritë nxjerrëse bëri përparim, por nuk arriti të institucionalizojë disa nga reformat kryesore të synuara nga një projekt prej 700 mijë dollarësh i financuar nga Banka Botërore.
Në raportin përfundimtar të zbatimit, Banka Botërore e vlerësoi rezultatin e projektit si “mesatarisht të kënaqshëm”, ndërsa cilësinë e monitorimit dhe vlerësimit si “modeste”. Nga shuma fillestare e grantit, rreth 697 mijë dollarë u disbursuan.
Projekti synonte të ndihmonte institucionet dhe grupet e interesit në Shqipëri të hartonin politika për një administrim më transparent të sektorit nxjerrës. Mbështetja përfshinte raportimin sipas standardeve të Nismës për Transparencën në Industrinë Nxjerrëse, ose EITI, analiza mbi pronarët përfitues, të ardhurat vendore, energjinë e rinovueshme, gazin dhe ndikimet sociale të industrisë.
Konkretisht vetëm një nga tre treguesit kryesorë iu afrua objektivit. Shqipëria përfundoi 50% të masave korrigjuese të kërkuara nga vlerësimi i EITI, kundrejt objektivit prej 70%. Rakordimi i të ardhurave nga renta minerare që u kalohen njësive vendore nuk u realizua, ndërsa raportimi EITI nuk u integrua plotësisht në ciklin vjetor ligjor të raportimit dhe auditimit.
Raporti nënvizon se Shqipëria vazhdon t’i publikojë të ardhurat në nivel të përgjithshëm kompanie dhe jo sipas projekteve individuale, një mangësi që Banka Botërore e cilëson thelbësore për transparencën fiskale. Ligji i posaçëm për EITI, i cili do ta bënte të detyrueshëm publikimin e të dhënave nga institucionet publike dhe kompanitë private, nuk ishte miratuar deri në përfundimin e projektit.
Projekti ndihmoi në publikimin e raporteve EITI për vitet 2019-2021 në tetor 2024 dhe të raportit për vitin 2022 në mars 2025. Vonesa mes vitit të raportimit dhe publikimit u ul nga tre në dy vjet, por mbeti mbi objektivin prej një viti. Numri i fushave të reja të raportimit arriti në tre, nga pesë të planifikuara.
Zbatimi i grantit u vonua rreth 12 muaj, pasi miratimi i qeverisë u sigurua vetëm në janar 2024, ndonëse projekti ishte aprovuar nga Banka Botërore në dhjetor 2022. Pavarësisht periudhës së shkurtuar deri në mbylljen e tij në korrik 2025, aktivitetet e planifikuara u përfunduan dhe fondet u disbursuan pothuajse plotësisht.
Mungesa e financimit nga qeveria bëri që Shqipëria të mos publikonte në kohë raportet për vitet 2019-2021, duke çuar në pezullimin e vendit nga Bordi i EITI në tetor 2023. Pezullimi zgjati një vit dhe u hoq pasi raportet e prapambetura u publikuan në tetor 2024.
Banka Botërore tha se mungesa për një periudhë të gjatë e një drejtuesi të nivelit të lartë për procesin EITI ndikoi negativisht në zbatim. Mbledhjet e grupit shumëpalësh vijuan pa praninë e kryetarit, ndërsa mungesa e vazhdimësisë në drejtim mund të ketë kufizuar ndikimin e procesit në politikat publike.
Raporti rekomandon që funksionet kryesore të EITI të financohen në mënyrë të qëndrueshme nga buxheti i shtetit, përmes një linje të posaçme buxhetore. Ai kërkon gjithashtu emërimin e një zyrtari të lartë si drejtues të procesit dhe kalimin nga raportet e përgatitura nga konsulentët te publikimi sistematik i të dhënave përmes platformave qeveritare.
Sipas Bankës Botërore, raportimi për vitin 2023, i publikuar në dhjetor 2025, ishte raporti i parë i përgatitur nga vetë Sekretariati Kombëtar EITI dhe grupi shumëpalësh, pa u mbështetur te konsulentë të financuar nga jashtë. /Monitor







