Ballina Politika Tavo “zbulon” pallatin pesëkatësh në Qeparo: shkrihet sërish IMT-ja, por kush e...

Tavo “zbulon” pallatin pesëkatësh në Qeparo: shkrihet sërish IMT-ja, por kush e la të ndërtohej për tetë muaj?

86
0

Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo, ka reaguar me tone të forta pas zbulimit të një objekti me një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë, të ndërtuar pa leje në Qeparo.

Tavo ka urdhëruar masa ndaj strukturës së Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, duke e konsideruar të papranueshme që një ndërtim i këtyre përmasave të jetë lejuar në territorin e Bashkisë Himarë.

Por pikërisht përmasat e objektit e bëjnë reagimin e sotëm edhe më të vështirë për t’u shpjeguar.

Nuk bëhet fjalë për një shtesë të fshehur apo një mur të ngritur brenda natës. Është një godinë me pesë nivele, ndërtimi i së cilës, sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, kishte nisur që në dhjetor të vitit 2025.

Pra, ndërsa sot kryetari i Bashkisë ngre zërin dhe kërkon përgjegjës, objekti është ndërtuar për muaj të tërë në territorin që administron institucioni i drejtuar prej tij.

Tre punonjës të IMT-së Himarë, kryeinspektori dhe dy inspektorë, janë tashmë në kërkim nga Policia për “Shpërdorim detyre”, ndërsa pronari i objektit është arrestuar.

Por përgjegjësia politike dhe administrative nuk mund të mbyllet vetëm te inspektorët.

Madje situata bëhet edhe më paradoksale pasi kjo nuk është hera e parë që Vangjel Tavo ndërhyn në IMT për të njëjtin problem. Edhe në vitin 2025, pas konstatimit të ndërtimeve pa leje në Dhërmi dhe Jalë, kryebashkiaku mori masa drastike ndaj strukturës së kontrollit të territorit.

Një vit më pas, problemi është përsëri aty. Vetëm godina është tjetër.

Nëse IMT-ja shkrihet, rindërtohet dhe disa muaj më vonë një objekt pesëkatësh arrin përsëri të ngrihet pa leje, atëherë problemi vështirë se mund të shpjegohet vetëm me disa inspektorë që nuk kanë bërë detyrën.

Sot Tavo kërkon përgjegjësi nga vartësit.

Por mbetet një pyetje shumë më e thjeshtë:

Kush kontrollonte kontrollorët ndërsa pallati në Qeparo ngrihej kat pas kati?/ vna