Ballina Politika Nuk është meme është Edi Rama: Shqipëria nr. 1 për sigurinë kibernetike

Nuk është meme është Edi Rama: Shqipëria nr. 1 për sigurinë kibernetike

76
0

Ka një ironi të rrallë të shpallësh Shqipërinë vendin më të sigurt kibernetikisht në botë, në një kohë kur shqiptarët kanë pasur luksin e dyshimtë të shohin të dhënat e tyre personale të qarkullojnë publikisht.

Por këtë të martë Edi Rama ka një lajm që vetë e quan “të pabesueshëm, po 100% të vërtetë”: Shqipëria është ngjitur në vendin e parë në National Cyber Security Index (NCSI), me 98.33 pikë.

Renditja është e vërtetë. Vetëm se nuk thotë atë që thotë Rama.

National Cyber Security Index nuk mat sa të sigurta janë realisht të dhënat e shqiptarëve, sa mirë janë mbrojtur databazat apo sa informacion personal ka dalë nga sistemet që duhet ta ruanin.

Ai mat kryesisht gatishmërinë e shtetit për sigurinë kibernetike: nëse ka ligjet, strategjinë kombëtare, institucionet përgjegjëse, strukturat për përballimin e incidenteve, mekanizmat e koordinimit dhe kapacitetet e nevojshme.

Në këtë provim Shqipëria ka shkëlqyer.

Pra, kemi ligjet. Kemi strategjinë. Kemi institucionet. Kemi planet. Kemi strukturat. Dhe tani kemi edhe 98.33 pikët.

Ajo që NCSI nuk pyet është më banalja: po të dhënat, i ruajtët?

Sepse po ta bënte këtë pyetje, përgjigjen nuk do të duhej ta jepte qeveria. E dinë shqiptarët, të cilët ndër vite kanë parë të qarkullojnë databaza me paga, numra telefoni, targa dhe të dhëna të tjera personale.

Kjo është pikërisht diferenca që humbet në postimin triumfalist të kryeministrit.

Në të njëjtën faqe ku Shqipëria renditet e para në NCSI, ajo figuron Tier 2 në Global Cybersecurity Index të ITU-së dhe shumë më poshtë në Network Readiness Index. Janë indekse me metodologji të ndryshme, sepse siguria dhe zhvillimi digjital nuk maten me një tabelë të vetme.

Kështu që vendi i parë në NCSI është një rezultat për t’u shënuar. Por ta përkthesh atë si provë se Shqipëria është “e para në botë për sigurinë kibernetike” është një histori tjetër.

NCSI tregon se shteti shqiptar ka ngritur në letër dhe në institucione një arkitekturë pothuajse të plotë për mbrojtjen kibernetike.

Se si funksionon ajo kur vjen puna te mbrojtja e të dhënave tona, këtë indeks nuk e mat. Këtë, për fat të keq, e kemi matur vetë./VNA