Ballina Kosovë “Vetëvendosja e sheh si një figurë të parëndësishme” – Osmani “sulmon” Kurtin:...

“Vetëvendosja e sheh si një figurë të parëndësishme” – Osmani “sulmon” Kurtin: Ai do president që s’mban qëndrime

108
0

Ish-presidentja Vjosa Osmani ka folur për takimet që ajo dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, zhvilluan me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, në kuadër të diskutimeve për një marrëveshje të mundshme.

LDK-ja tashmë ka marrë qëndrim për të mbetur në opozitë, duke bërë të ditur se heq dorë nga çdo kërkesë për postin e kryeparlamentarit, presidentit apo pjesëmarrjen në Qeveri. Sipas saj, Vetëvendosje mund t’i mbajë të gjitha këto pozita.

LDK-ja ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për të votuar një President konsensual, me kusht që ai të jetë një person që mbron “Republikën dhe Kushtetutën”.

Për këto bisedime, Osmani u pyet në një emision televiziv në Kosovë. Ajo tha se një nga dallimet kryesore mes Vetëvendosjes dhe LDK-së përpara se kjo e fundit të merrte këtë qëndrim, lidhej me mënyrën se si palët e shihnin rolin e Presidentit të Republikës.

“Për ne një President i Republikës duhet të ketë një përvojë, duhet të ketë qëndrime politike, jo partiake, ajo është tjetër gjë. Jo të mbajë qëndrime partiake, por të ketë qëndrime politike, të ketë njohuri politike, të ketë mundësi ta mbrojë Kushtetutën, të kryejë kompetencat e veta me nder, ta përfaqësojë vendin jashtë dhe të konsiderohet si një ekuilibër, një lloj balancuesi i pushteteve, siç e kërkon Kushtetuta e Kosovës”, tha Osmani.

Sipas saj, ky nuk ishte qëndrimi i Kurtit. Osmani nenvizoi se Vetëvendosje kërkonte një President pa qëndrime politike.

“Pala tjetër, pra Vetëvendosja, më shumë e sheh si një figurë totalisht të parëndësishme, që nuk bën asgjë, një figurë simbolike që e shohim ndoshta një herë ose dy në vit. Por, nuk ka qëndrime, kështu e kemi kuptuar ne”, u shpreh ajo.

Osmani theksoi se LDK-ja nuk e ka parë Presidentin e Kosovës si një prej pushteteve, por si një institucion që shërben si balancues i pushteteve, e ketu, theksoi ajo, ka dallim te madh.

Sipas Osmanit, Vetëvendosje e shihte Presidentin si një kontrollues dhe për këtë arsye nuk dëshironte që në këtë post të ishte një person me përvojë politike, por dikush krejtësisht jashtë politikës.

Ajo megjiyhatë u pajtua me idenë se tani është koha të diskutohet për emra konkretë, duke e bërë të qartë se vota e LDK-së do të lidhet me zgjedhjen e një Presidenti që i përmbush kriteret e tyre për një figurë konsensuale.