Ballina Politika Ftesa e Sadushit për Ramën: Paqja e nevojshme para testit të Veliajt...

Ftesa e Sadushit për Ramën: Paqja e nevojshme para testit të Veliajt dhe “portës” hyrëse për në Presidencë

82
0

Në fshatin Vajzë, ku polifonia dhe deti i kripur takohen me majën e malit, Edi Rama dhe Sokol Sadushi duket se kanë gjetur një ekuilibër të ri. Jo paqe të thellë, por një armëpushim të përkohshëm. Të tillë që zgjat për sa kohë që kryeministrit i duhet ende “një dorë” në drejtësi që nuk mund të jetë vetëm Fatmir Xhafaj.

Rama erdhi në “Vajza Fest” me ftesë të Sadushit. Pas tensionesh të mëparshme, thumbimesh publike dhe periudhash ku komunikimi dukej i ftohtë, tani batutat janë të lehta dhe atmosfera festive. “Katër vite janë mjaft për të pasur besim që ideja funksionon,” tha Rama. Mesazhi ishte i qartë: tani jemi mirë. Për momentin.

Kjo paqe i jep ujë burimit të Sadushit. Kryetari i Gjykatës së Lartë, i zgjedhur në tetor 2023 nga mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve për një mandat trevjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje, e sheh fundin e mandatit që i afrohet. Në këtë kontekst, ambicia për Presidencë nuk është më thjesht thashethem. Është llogaritje. Dhe për të mbajtur të hapur këtë derë, i duhet të mbetet i dobishëm.

Por deri sa të vijë koha e vërtetë për zgjedhjen e presidentit, është e vështirë të parashikohet se çfarë mund të ndodhë. Në politikën shqiptare, aleancat e përkohshme kanë jetë të shkurtër sa mandatet.

Dhe këtu vjen testi i rëndësishëm. Në shtator, Gjykata e Lartë do të ketë përballë sërish çështjen e Erion Veliajt – lirimin ose jo nga burgu. Iniciativa për të “reformuar” praktikat e masave të sigurisë (arresti me burg) u nis nga vetë Sadushi me një vendim të ndërmjetëm në mars 2026, duke vënë në lëvizje Kolegjet e Bashkuara për të ndryshuar praktikën e unifikuar të vitit 2011. Ajo nismë u lexua gjerësisht si shërbim ndaj qeverisë dhe ndaj një emri specifik.

Por a ishte shërbimi i plotë? Apo vetëm një këst i parë?

Në fund të fundit, Rama i njeh mirë këto lojra. I fton, i bën të ndihen të rëndësishëm, u jep pak hapësirë… dhe pastaj shikon se kush e kalon testin e besnikërisë dhe kush mbetet thjesht i dobishëm për një sezon./vna