Ballina Europë U kap me rreth 40 kg kokainë/ Violinisti: Bëra një kontratë në...

U kap me rreth 40 kg kokainë/ Violinisti: Bëra një kontratë në Shqipëri, nuk e di si përfundova deri këtu

67
0

Një violinist profesionist, anëtar me raste i Orkestrës Simfonike të Bourgogne-Franche-Comté në Francë, është arrestuar pranë kufirit franko-italian, në La Turbie. Gjatë kontrollit, doganierët gjetën të fshehura në makinën e tij 38,3 kilogramë kokainë, të cilën ai po e sillte nga Shqipëria.

Më 10 gusht, në pikën e pagesës së La Turbie, në autostradën A8 në Alpes-Maritimes, doganierët kontrolluan një Citroën C5 Aircross, të drejtuar nga një burrë, violinist profesionist. Poshtë tapetit të dyshemesë së makinës, ata zbuluan një sasi të madhe droge: 38.33 kilogramë kokainë, që do të kishin një vlerë prej më shumë se 1.1 milionë eurosh nëse shiteshin me pakicë.

Por nuk ishte e gjitha. Ndërsa muzikanti ndodhej në ndalim policor në Nice, hetuesit kontrolluan banesën e tij në Besançon, ku gjetën 90.000 euro cash, si dhe katër armë zjarri të kategorive B dhe C dhe një sasi të konsiderueshme municionesh.

Për shumën e madhe të parave të gatshme, i dyshuari deklaroi se ato ishin një dhuratë nga babai i tij. Ndërsa për armët dhe municionet, tha se merrej me qitje sportive.

Një kontratë gjatë një udhëtimi në Shqipëri

Gjatë seancës së tij për gjykim të menjëhershëm në Gjykatën Penale të Nice, burri, i cili nuk kishte precedentë penalë, deklaroi, sipas Nice-Matin, se e kishte marrë këtë kontratë kundrejt një pagese prej 20.000 eurosh, përmes disa njohjeve që kishte bërë gjatë një udhëtimi në Shqipëri, vendi i tij i origjinës.

“Nuk arrij ta shpjegoj se si përfundova deri këtu”, ka deklaruar ai gjatë marrjes në pyetje.

Megjithëse identiteti i tij nuk është bërë publik, dihet se ky burrë 45-vjeçar është violinist profesionist, i cili ka studiuar në disa konservatorë në Francë (Lyon, Dijon dhe Besançon) dhe është anëtar me kohë të pjesshme i Orkestrës Simfonike Victor-Hugo Bourgogne-Franche-Comté (OVH).

Drejtoria e orkestrës u kujdes të sqaronte se “arrestimi nuk ka ndodhur gjatë aktiviteteve të tij me OVH-në”, dhe se “nga 71 muzikantët që përbëjnë orkestrën, 30 janë të përhershëm, ndërsa 41 të tjerët janë muzikantë me kontrata të përkohshme. Dhe ai bën pjesë në kategorinë e dytë”.

Nga ana e saj, bashkia e Besançon-it theksoi se bëhet fjalë për “veprimin e një individi të vetëm, i cili nuk duhet të përzihet me Orkestrën Victor Hugo”.

I vendosur në paraburgim në pritje të gjykimit, i cili do të zhvillohet më 9 tetor 2026, muzikanti-trafikant do të gjykohet, sipas Prokurorisë së Nice, për vepra që lidhen veçanërisht me transportimin, mbajtjen, blerjen dhe importimin e lëndëve narkotike.