Ballina Europë Islanda voton kundër rifillimit të negociatave për anëtarësim në BE

Islanda voton kundër rifillimit të negociatave për anëtarësim në BE

66
0

Islanda ka votuar kundër rifillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sipas rezultateve të publikuara nga transmetuesi publik islandez RUV.

Referendumi, i cili gjatë natës pati një garë të ngushtë mes dy kampeve, përfundoi me fitoren e kundërshtarëve të rifillimit të negociatave, shkruan Euronews.

Sipas rezultateve aktuale, 52.5 për qind e votuesve kanë votuar “Jo”, ndërsa 47.5 për qind “Po”, në përgjigje të pyetjes: “A duhet Islanda të rifillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian?”.

Një nga gjashtë zonat zgjedhore të vendit ende pritet të konfirmojë rezultatet përfundimtare, por RUV raportoi se tashmë është e qartë se Islanda ka votuar kundër rifillimit të negociatave me BE-në.

Gara më e ngushtë u zhvillua në zonën jugperëndimore, e cila përfshin disa prej qyteteve përreth kryeqytetit Reykjavik, përfshirë Garoabær, Hafnarfjorour, Kopavogur dhe Mosfellsbær. Në këtë zonë janë të regjistruar rreth 79 mijë votues.

Në fazat e para të numërimit, rezultati ishte pothuajse i barabartë, me nga 9,900 vota për secilin kamp. Megjithatë, me avancimin e numërimit, kampi “Jo” kaloi në epërsi dhe, pasi u numëruan rreth 32,800 fletëvotime, kryesonte me 51.5 për qind.

Për të përmbysur rezultatin, kampit “Po” do t’i duhej një avantazh prej rreth 9,599 votash, diçka që RUV e konsideroi të pamundur duke marrë parasysh trendin e votimit gjatë natës.

Rezultati pritet ta largojë debatin për anëtarësimin e Islandës në BE nga politika e vendit për të paktën dy vitet e ardhshme.

Islanda, një shtet me rreth 400 mijë banorë, kërkoi për herë të parë anëtarësimin në BE pas krizës financiare të vitit 2009, e cila e çoi ekonominë e vendit në prag të kolapsit.

Negociatat për anëtarësim u pezulluan në vitin 2013, pasi në pushtet erdhi një koalicion politik euroskeptik.