Ballina Opinion Rama citon Hararin. Harari përshkruan Ramën

Rama citon Hararin. Harari përshkruan Ramën

81
0

Nga Sonila Meço

Rama poston Hararin me këtë pohim të tij: “algoritmi nuk është krijuar për të gjetur të vërtetën, por për të maksimizuar angazhimin.”

Uauauaua! Keq puna.

Pas 13 vjetësh në pushtet, ku na mbiu si barishte e keqe në çdo parcelë ekranesh, pasi krijoi ushtri digjitale për të mbjellë farën e propagandës, urrejtjes dhe persekutimit në rrjet, pasi e shndërroi administratën në audiencë e shpërndarëse postimesh si shkurre dekorative, të vetë liderit e lolove të oborrit, pasi përdori Facebook-un organikisht si Fletore Zyrtare dhe pasi korri çdo media, duke bërë si drejtorin editorial ashtu edhe atë artistik na sjell në vëmendje një pjesëz interviste të Hararit për të na paralajmëruar se ekziston një parazit i rrezikshëm, një mekanizëm që nuk interesohet për të vërtetën, por për angazhimin në rrjete sociale. Pra e vërteta sipas tij po shfaroset nga ky helm i tmerrshëm, algoritmi.

Nga gjithë filozofët që mund të zgjidhte për të na shpjeguar rrezikun e algoritmit, zgjodhi mu bash atë që prej vitesh analizon rrezikun e pushtetit kur dobëson institucionet, kontrollon informacionin dhe njehson veten me shtetin.

Harari, duke shpjeguar se si një demokraci mund të rrëshqasë drejt diktaturës, thotë se problemi nis kur një drejtues, pasi merr pushtetin, neutralizon mekanizmat vetëkorrigjues të sistemit. Në një tjetër formulim ai është edhe më konkret: “se vetëm zgjedhjet nuk mjaftojnë, se duhet ndarja e pushteteve, gjykata dhe media të pavarura. Se duhen institucione dhe jo individë të fortë.”

Sepse, vijon ai, asnjë shoqëri dhe sidomos asnjë demokraci nuk mund të funksionojë pa institucione burokratike të besueshme. Demokracia funksionon mbi besimin tek institucionet, ndërsa diktatura mbi frikën dhe urrejtjen.

Pra s’ka besë me individin në demokraci, por me institucionet. Ja këto filozofira thotë Hariri në të tjera reels-e nga intervistat e tij. Por ja që autokrati i shtetit të kapur nga krimi citon Hararin mu tek pjesa e manipulimit të publikut, frika dhe urrejtja që shpërndan si limfë algoritimi dhe sinqerisht kjo është kategori humori më vete. Ngjan si të dëgjosh Neronin të shpërndajë këshilla për sigurinë nga zjarri.

Harari nuk rri dot i redaktuar në një reels. Po ta dëgjosh edhe pesë minuta më shumë në atë intervistë, pjesë të së cilës poston Rama, algoritmi të ngjan problemi më i vogël. Harari vërtetë thotë se algoritmi zbuloi fuqinë e frikës, urrejtjes dhe eksitimit, por në Shqipëri s’ishte nevoja për wi-fi dhe inteligjencë artificiale. Mjaftonte pushteti natyral i eksperimentit të egër të shpopullimit.

Harari tregon se çfarë ndodh kur informacioni nuk përdoret për të kuptuar realitetin, por për të organizuar njerëzit rreth një versioni zyrtar të tij.
Dikur duheshin televizione, radio, konferenca shtypi, ceremoni, regji qendrore, fotografë, tituj, inaugurime dhe një industri e tërë komunikimi për të prodhuar çdo ditë versionin e dëshiruar të realitetit.

Me teknologjinë nga buron algoritmi thjesht u ulën kostot. Dhe Rama nuk e shet dot veten viktimë të epokës së algoritmit, sepse janë të pafundme dëshmitë në 13 vite se është versioni i i saj analog.

Ndoshta këtë hall ka me algoritmin Rama: jo se po manipulon shqiptarët, por sepse ka demokratizuar manipulimin. Harari thotë po aty se informacioni nuk është e njëjta gjë me të vërtetën. E vërteta është e kushtueshme dhe e rrallë, ndërsa është shumë më e lehtë të lidhësh turma përmes narrativave, fantazive dhe vetmashtrimeve kolektive.

Për Ramën, manipulimi nuk është përdorur domosdoshmërisht të na bindë se e pavërteta është e vërtetë, por sidomos të kontrollojë se për çfarë do të mendosh sot dhe çfarë duhet të kesh harruar nesër. Tani telekomanda nuk është më vetëm në dorën e tij.

Ja pse Harari ia vlen të dëgjohet i plotë. Sidomos pjesa që nuk u postua nga kryeministri-redaktor reels-ash.