Në Prishtinë është përfunduar një mural kushtuar kujtesës së luftës, sakrificës dhe lirisë, i realizuar me mbështetjen e Drejtorisë së Kulturës së Kryeqytetit.
Murali paraqet katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë, duke përcjellë një mesazh për luftën, sakrificën, burgimin dhe lirinë.
Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, tha se vepra lidhet me një histori që, sipas saj, për Kosovën ende nuk është mbyllur.
“Prishtina pret kthimin e çlirimtarëve”, deklaroi Musmurati.
Ajo shpjegoi se elementet e muralit kanë edhe simbolikën e tyre: “Teli simbolizon kufizimin dhe izolimin. Zogjtë mbi të, lirinë që nuk mund të burgoset”.
“Prishtina kujton. Prishtina pret. Kosova pret kthimin e çlirimtarëve”, shtoi ajo.







