Ballina Aktualitet Thellohet skandali për kullën 24 kate/ Banorët e Kika 1 protestojnë për...

Thellohet skandali për kullën 24 kate/ Banorët e Kika 1 protestojnë për lejen e çunave të APEX-it që kanë zaptuar rrugën dhe oborrin e 500 banorëve

68
0

Një institucion shtetëror i ka dhënë leje firmës që po ndërton kullën 24 kate në mes të lagjes ekzistuese në “Komunën e Parisit” për të zaptuar oborrin e pallatit ku jetojnë mbi 500 banorë.

Disa ditë më parë Vox News denoncoi ekskluzivisht kompaninë “TDT & Partners” se kishte prishur mure dhe rrugë ekzistuese, pronë e banorëve, për të zgjeruar kantierin e kullës, në mënyrë tepër arbitrare dhe pa asnjë masë paraprake.

Skandali thellohet më tej për shkak se një zyrë shteti, nga ato ku qëndrojnë burokratë, të cilët presin dita – ditës për kapur ndonjë kothere, firmos një leje kalimi për makineri të rënda në oborrin e kompleksit “Kika 1”, duke iu futur në pronë private.

Makineri të rënda kanë shkuar prej 5 javësh në atë zonë, duke rrafshuar të gjitha muret që ndajnë pronën e kompleksit me vilat rreth e përqark, në një kohë që leja e ndërtimit është dhënë në një pronë shumë metra larg.

Kompania ndërtuese, sipas banorëve të zonës, po synon që të zgjerojë perimetrin e kantierit, duke tentuar që të ndryshojë edhe rrugën e hyrjes për në kullë, teksa dyshimet janë se e gjithë ajo pronë, që ka një certifikatë pronësie nga trashëgimtarët e familjes Kika, po synohet që të tjetërsohet.

Duket se, në këtë rast, shteti është bërë palë me oligarkët, pasi prej më shumë se 1 muaji, asnjë institucion kontrollues apo ligjzbatues ende nuk ka vepruar, duke i lënë 500 banorët në mëshirë të fatit.

Prej shumë ditësh, banorët kanë protestuar çdo pasdite në oborrin e kompleksit, duke i bërë thirrje cilindo institucion që të ndërhyjë, të ndalojë këtë maskaradë.

“Ju falënderojmë që i jepni zë shqetësimit tonë. Jemi një përfaqësi e kompleksit ‘Kika 1’. Bëhet fjalë për 500 familje, të cilët janë ndjerë të surprizuar në datën 31 gusht. Është prishuar një mur rrethues, i ndërtuar më shumë se 25 vite. Është muri, i cili, ka qenë muri kufitar me pronat e vilave të tjera”, thonë banorët, të përfaqësuar nga moderatorja Deni Turhani.

Më tej, shtojnë se të gjithë janë befasuar kur firma prishi murin pa autorizimin e banorëve të kompleksit ‘Kika 1’. “Dhe na thonë se kanë marrë një leje me të drejtën e shfrytëzimit të hapësirës! Kjo është pronë private, e vërtetuar me dokumentacionin nga ASHK-ja, e cila nuk e lejon në mënyrë kategorike të futen në shtëpinë tonë kompaninë TDK Partners, të cilët duan të ndërtojnë kompleksin 24 katësh ‘Komuna Building’” pohon Turhani.

Banorët pohojnë se rruga që të çon te prona ku do të ndërtohet kompleksi 24 katësh është një rrugë e vogël që kalon mes disa vilave private.

“Këtej nga ne kanë pasur mur. Kompania nuk ka mundur dot të bindë banorët e vilave përkatëse për të lejuar realizimin e rrugës kryesore dhe i bie në qafë 500 banorëve të kompleksit në rrugën ‘Medar Shtylla’”, thonë ata.

Aktualisht, në të gjithë zonën ka inerte, pasi është prishur rruga, janë futur makineri të rënda.

“Ne kemi bllokuar makinerinë e rëndë që po hiqte inertet. Nuk po diskutojmë se si është dhënë leja kaq afër me kompleksin e madh. Këtu ka kolektorë. Do gërmohet 20 metra nëntokë. Teknikisht është e papranueshme kjo lloj distance. Ky është një alarm i madh. Eskavatori donte të ikte nga këtu, por nuk e lejuam për të treguar se këtu është shkelur ligji me katër këmbë”, pohojnë ata.

Më tej shtojnë se kanë bërë ankimim administrativ, madje kanë bërë edhe kallëzim penal në prokurori, për të treguar se firma u ka hyrë në shtëpi pa asnjë lloj të drejte. Në të gjithë zonën, shqetësimet janë të shumta, të cilat nisën fillimisht me spostimin e tubacioneve të ujit të pijshëm, më pas prishja e kanalizimeve të ujërave të zeza e tashmë shkatërrimi i të gjithë segmenteve rrugore të brendshme, duke sjellë një katrahurë të vërtetë.

Vox News denoncoi disa ditë më parë se firma ndërtuese e cila ka marrë leje për çibanin 24 katësh është “TDT & PARTNERS”, me pronarë Dajlan Avdia dhe Glendi Abdi.

Mësohet se Dajlan Avdia është i njohur si ish-pronari i kompanisë së lojërave të fatit APEX, ndërsa rezulton se ka marrë shumë leje ndërtimi për kulla në Tiranë dhe resorte zonat bregdetare. Aktualisht, sipas dokumenteve që ka hulumtuar Vox News, në muajin qershor të këtij viti kanë hapur edhe adresën në zonën e Komunës së Parisit, pas zbardhjes së lejes./ Voxnews