Ka nisur në Tiranë protesta e 104-të kundër qeverisë, me qytetarë që janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” dhe pritet të vijojnë marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit.
Tubimi vjen vetëm një ditë pas protestës së 103-të, ndërsa protestuesit kanë përsëritur kërkesat për ndryshim politik dhe largimin e qeverisë.
Në mesin e thirrjeve të dëgjuara gjatë protestës janë “Dorëheqje!”, “Arrestoni Ramën!” dhe “Arrestoni Berishën!”, ndërsa protestuesit kanë bërë thirrje për vijimin e rezistencës.
Mesazhet e protestuesve janë përqendruar edhe te situata politike në vend, me pankarta dhe slogane si “Shteti ka rënë! Kombi na thërret”, ndërsa kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit kanë vijuar marshimin përgjatë bulevardeve të Tiranës dhe janë ndalur edhe pranë stadiumit “Air Albania”. Tubimi ka sjellë edhe bllokime të disa akseve rrugore në kryeqytet. Nga protesta janë përsëritur gjithashtu thirrjet për lirimin e personave të arrestuar gjatë tubimeve të mëparshme.
Protesta e sotme është pjesë e një serie tubimesh të njëpasnjëshme kundër qeverisë, ndërsa organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve të tjerë t’i bashkohen protestës.







