Ballina Bota Mbijetoi dy ditë në Alaskë, 15-vjeçari shpëtohet mbi varkën e përmbysur

Mbijetoi dy ditë në Alaskë, 15-vjeçari shpëtohet mbi varkën e përmbysur

61
0

Një 15-vjeçar ka mbijetuar për rreth dy ditë mbi një varkë të përmbysur në Detin Bering, në Alaskë, pasi vëllai i tij i madh dhe kushëriri humbën jetën në aksident.

Derek Parker Aghnaanga kishte dalë për peshkim së bashku me dy familjarët e tij, por varka e tyre u përmbys të shtunën në mbrëmje.

Ata nuk u kthyen në kohën e planifikuar, duke nxitur një operacion kërkimi nga Roja Bregdetare amerikane.

15-vjeçari u pikas të hënën në mëngjes nga një avion dhe më pas u shpëtua nga ekuipazhi i anijes së peshkimit Northwest Explorer.

Në momentin e shpëtimit, ai kishte simptoma hipotermie dhe u ngroh me batanije dhe pako të nxehta.

Kapiteni i anijes, Adam White, e cilësoi adoleshentin si “një djalë jashtëzakonisht të fortë”.

Sipas familjarëve, 15-vjeçari kishte qëndruar gjatë gjithë kohës mbi varkë, në ujërat e ftohta dhe pa ushqim e ujë.

Nëna e tij, Vina Kulowiyi, tha se djali i saj “mbijetoi me lutje” dhe se ishte i bindur se do të shpëtonte.

Trupat e vëllait dhe kushëririt të tij u gjetën gjithashtu nga ekipet e kërkim-shpëtimit.