Zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe një zëdhënës i ish-zëvendëspresidentes Kamala Harris njoftuan se një person u ndalua në shtëpinë e saj në Malibu në Kaliforni të premten në mbrëmje. As ish-nënkryetarja dhe as bashkëshorti i saj, Doug Emhoff nuk ishin në shtëpi në atë kohë.
“Personeli i sigurisë ndaloi një individ që hyri ilegalisht në pronën e zëvendëspresidentit Harris dhe Zotëriut të Dytë Emhoff përpara se individi të arrinte në shtëpi”, tha zëdhënësi i Harris, Eduardo Negron.
“Harris dhe Emhoff nuk ishin të pranishëm. Ata janë mirënjohës ndaj personelit të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit që reaguan shpejt”, shtoi ai.
Zëvendësit e sherifit të qarkut të Los Anxhelosit u dërguan në shtëpinë e Harrisit rreth orës 22:30 të mbrëmjes së asaj të premteje, pasi sigurimi privat e kishte ndaluar personin. Atij iu kërkua të largohej dhe nuk u bë asnjë arrestim.
Zëvendëspresidentët në SHBA zakonisht marrin gjashtë muaj mbrojtje nga Shërbimi Sekret pas largimit nga detyra. Ish-presidenti Joe Biden e zgjati mbrojtjen e Harris në 18 muaj para se të largohej nga detyra. Kjo zgjatje u anulua në gusht 2025 nga Donald Trump. Ish-presidentët zakonisht marrin mbrojtje sigurie për jetë.
Harris bleu shtëpinë në zonën Point Dume të Malibusë për 8.1 milionë dollarë këtë maj, gjë që nxiti spekulime se ajo nuk do të kandidonte përsëri për presidente.







