Rreth 230 persona u evakuuan nga ishulli Braç në Kroaci, ku një zjarr i madh ka përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi dhe është afruar pranë zonave të banuara.
Më shumë se 220 zjarrfikës, të mbështetur nga 69 automjete, kanë luftuar me flakët gjatë gjithë natës. Në operacion janë përfshirë edhe katër avionë zjarrfikës Canadair CL-415, të cilët nisën ndërhyrjen herët të dielën në mëngjes.
Pak para mesnatës, banorët dhe turistët në qytetin e vogël të Milnas dhe zonat përreth, në pjesën perëndimore të ishullit, morën një paralajmërim në telefonat e tyre, ndërsa flakët po afroheshin me zonat e banuara.
Sipas agjencisë zyrtare kroate të lajmeve Hina, rreth 230 persona u evakuuan nga zona, shumë prej tyre me anije të rojes bregdetare dhe varka private.
Shefi i zjarrfikësve, Slavko Tuçaković, tha se ekipet arritën të shpëtonin një numër të madh banesash, ndërsa ndihmuan edhe në transportimin e turistëve dhe banorëve drejt zonave të sigurta. Dy persona kanë pësuar lëndime të lehta.
Sipas të dhënave të cituara nga Hina, deri tani janë djegur rreth 35 mijë hektarë pyje me pisha dhe bimësi shkurrore, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë përpjekjet për vënien nën kontroll të plotë të zjarrit.







