Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se kanë vendosur tashmë në orbitë sisteme të afta për të mbrojtur forcat amerikane nga kërcënimet në hapësirë. Njoftimi ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga Kina dhe Rusia.
Sekretari i Forcave Ajrore amerikane, Troy Meink, gjatë një konference të hënën tha se SHBA-të janë të përgatitura për t’iu përgjigjur kërcënimeve të reja, pavarësisht se ku shfaqen.
“Ju garantoj se jemi të gatshëm të përballemi me kërcënimet në zhvillim, kudo që ndodhen. Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tashmë në orbitë armë për kontrollin e hapësirës, të afta të mbrojnë forcat tona të përbashkëta nga veprimet armiqësore”, deklaroi Meink.
Ai nuk dha detaje mbi llojin e këtyre sistemeve, mënyrën e vendosjes së tyre apo kohën kur janë dërguar në orbitë. Për këtë arsye, mbetet e paqartë se çfarë lloj teknologjie ushtarake bëhet fjalë.
Në faqen zyrtare të Forcave Hapësinore amerikane thuhet se Kina po zhvillon kapacitete hapësinore si pjesë të modernizimit të saj ushtarak, ndërsa Rusia e konsideron epërsinë në hapësirë si një element që mund të ketë rëndësi të madhe në konfliktet e ardhshme.
Deklaratat amerikane kanë sjellë reagim nga Pekini. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të ndalojnë zgjerimin e kapaciteteve ushtarake në hapësirë.
“Kërkojmë që Shtetet e Bashkuara të ndalojnë zgjerimin e kapaciteteve ushtarake dhe përgatitjet për luftë në hapësirë”, tha Guo.
Edhe Moska reagoi përmes zëdhënësit të Kremlinit, Dmitri Peskov, i cili deklaroi se Rusia pret mbështetje ndërkombëtare për çmilitarizimin e plotë të hapësirës.
Debati për përdorimin ushtarak të hapësirës nuk është i ri. Në vitin 1967 hyri në fuqi Traktati për Hapësirën e Jashtme, i cili ndalon vendosjen në orbitë të armëve bërthamore. Megjithatë, traktati nuk ndalon në mënyrë të përgjithshme sistemet konvencionale ushtarake në hapësirë.
Me zhvillimin e teknologjisë satelitore dhe përdorimin e inteligjencës artificiale, SHBA, Rusia dhe Kina kanë investuar gjithnjë e më shumë në kapacitete që mund të përdoren për qëllime ushtarake. Në vitin 2018, gjatë mandatit të tij të parë, Donald Trump njoftoi krijimin e Space Command. Një vit më vonë u krijua edhe US Space Force, si një strukturë e veçantë e ushtrisë amerikane.
Një pjesë e projekteve të zhvilluara nga SHBA-të mbeten sekrete. Sipas Bleddyn Bowen, profesor i Astropolitikës në Durham University, nuk ka shumë gjasa që sistemet e vendosura në orbitë të jenë platforma që mund të lëshojnë raketa. Ai vlerëson se mund të bëhet fjalë për pajisje të luftës elektronike, të afta për të ndërhyrë në funksionimin e satelitëve kundërshtarë.
Megjithatë, ekspertët nuk e përjashtojnë mundësinë që kapacitetet amerikane të jenë më të avancuara. Deklarata e Meink se sistemet synojnë të “mbrojnë forcat e përbashkëta” ka lënë të hapur pyetjen se cilat janë konkretisht këto armë dhe çfarë aftësish kanë.







