Ballina Lifestyle U mbajt 20 ditë në izolim, blogerja iraniane dënohet me vdekje pas...

U mbajt 20 ditë në izolim, blogerja iraniane dënohet me vdekje pas akuzave për fyerjen e liderit suprem

65
0

Blogerja iraniane Marzieh “Sevda” Ebrahimi Shamsabadi, 33 vjeç, është dënuar me vdekje nga Dega e Tretë e Gjykatës Revolucionare në Bandar Abbas, pas një procesi ku ndaj saj janë ngritur disa akuza, përfshirë “korrupsion në tokë”, fyerje ndaj liderit suprem të Iranit dhe aktivitete të dyshuara kundër sigurisë kombëtare.

Sipas raportimeve të Iran International, të cituara edhe nga media të tjera të huaja, Shamsabadi ishte arrestuar në fillim të këtij viti dhe mbahet në burgun e Bandar Abbas. Avokati i saj mësohet se është njoftuar për dënimin me vdekje më 23 gusht.

Një nga akuzat lidhet me një fotografi që ajo dyshohet se ka realizuar nga distanca në një zonë të goditur nga raketa. Sipas autoriteteve, fotografia më pas iu dërgua një mediaje persishtfolëse me bazë jashtë Iranit. Për këtë arsye, ajo u akuzua edhe për veprimtari të pretenduara në favor të “qeverive armiqësore”.

Para arrestimit, blogerja kishte publikuar në Instagram një mesazh që rezultoi të ishte postimi i saj i fundit për rreth 10 mijë ndjekësit.

“Nëse një ditë largohem nga kjo botë, dijeni vetëm një gjë – zgjodha rrugën në të cilën besoja”, shkroi ajo në postim.

Sipas të dhënave të publikuara nga organizata e të drejtave të njeriut HRANA, Shamsabadi është mbajtur për rreth 20 ditë në izolim dhe i është nënshtruar presionit të madh gjatë marrjes në pyetje.

Përveç dënimit me vdekje, gjykata ka urdhëruar edhe konfiskimin e pronës së saj dhe vendosjen e kufizimeve për aksesin në disa shërbime shtetërore dhe publike.

Rasti i saj është bërë publik në një kohë kur organizatat e të drejtave të njeriut kanë ngritur shqetësime për përdorimin e dënimit me vdekje ndaj personave të akuzuar për vepra politike dhe të sigurisë në Iran.

Shamsabadi ka lindur në Arak, është rritur në Teheran dhe më vonë ka jetuar në Bandar Abbas.