Ballina Ekonomia Paradoksi shqiptar/ Ushqimet më të shtrenjta se në BE, por paga vetëm...

Paradoksi shqiptar/ Ushqimet më të shtrenjta se në BE, por paga vetëm 43% e Europës

62
0

Prej më shumë se tri dekadash, prioriteti i qeverive shqiptare ka qenë integrimi i vendit në Bashkimin Europian. Madje qeveria aktuale e ka integrimin në BE premtimin e saj kryesor.

Dhe në fakt, procesi formal ka përparuar ndjeshëm vitet e fundit: Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe në korrik 2026 mbylli përkohësisht tre të parët.

Por ka të paktën një tregues ku Shqipëria jo vetëm e ka arritur Europën, por tashmë e ka kaluar: çmimet e ushqimeve.

Në vitin 2025, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri arriti në 103% të mesatares së Bashkimit Europian, duke kaluar për herë të parë referencën e 100%. Pra, një shportë ushqimore që mesatarisht kushton 100 në BE, në Shqipëri kushton rreth 103, e matur sipas standardeve të fuqisë blerëse.

Në vitin 2016, kur u shënua dhe niveli më i ulët, që nga 2005-a, kur raportohen të dhënat më të hershme, çmimet e ushqimeve ishin sa 66% e mesatares së BE-së. Në 9 vjet, treguesi u rrit me 36 pikë përqindje.

Ndërkohë, PBB-ja për frymë e Shqipërisë në 2025-n ishte vetëm 43% e mesatares së BE-së, ndërsa konsumi individual aktual për frymë (AIC), që reflekton më mirë fuqinë reale të konsumit të familjeve, ishte 48%, nga përkatësisht 30% dhe 37% në 2016-n, duke mbetur ndër të fundit në Europë.

Çmimet bënë rrugën drejt Europës shumë më shpejt

Ecuria afatgjatë e bën kontrastin edhe më të dukshëm. Në vitin 2005, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri ishte vetëm 73.8% e mesatares së BE-së. Në vitet që pasuan madje pati një periudhë kur diferenca me Europën u zgjerua: në 2013-2015, ushqimet kushtonin vetëm rreth 67% të mesatares europiane.

Më pas tendenca ndryshoi.

Nga 67.7% e mesatares së BE-së në vitin 2015, indeksi i çmimeve të ushqimeve u ngjit në 81.2% në 2019, në 84.9% në 2022, në 90.7% në 2023, pothuajse u barazua me BE-në në 2024 me 99.6% dhe në 2025 e kaloi atë, duke arritur në 102.9%.

Në të njëjtën periudhë, treguesi i konsumit/të ardhurave reale për frymë në raport me BE-në u përmirësua shumë më ngadalë: nga rreth 38% në 2015 në 48% në 2025, vetëm 10 pikë përqindjeje.

Gjatë kësaj periudhe, çmimet e ushqimeve u afruan me Europën mbi tri herë më shpejt sesa fuqia ekonomike e konsumatorit shqiptar.

Por dhe kërcimi i viteve të fundit i të ardhurave duhet lexuar edhe në dritën e rishikimit të popullsisë pas Censit 2023. Numri i banorëve rezultoi rreth 2.4 milionë, nga 2.8 milionë në Censin e vitit 2011, çka, për të njëjtën madhësi ekonomie apo konsumi, rrit automatikisht vlerën e treguesve për frymë.

Për rrjedhojë, një pjesë e përmirësimit është statistikore dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht një rritje me të njëjtën masë të mirëqenies reale të individëve.

Shqipëria, përjashtimi i rajonit

Shtrenjtimi nuk është thjesht një pasojë e faktit që i gjithë Ballkani Perëndimor po konvergon me çmimet europiane.

Në vitin 2025, Shqipëria ishte i vetmi vend i rajonit ku çmimet e ushqimeve e kishin kaluar mesataren e BE-së.

Serbia ishte në 96.6% të mesatares europiane, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina në 84.6%, ndërsa Maqedonia e Veriut në vetëm 74.3%.

Dhe hendeku vazhdon të zgjerohet. Në korrik 2026, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Shqipëri u rritën me 3.2% me bazë vjetore, pesë herë më shpejt se mesatarja e BE-së prej 0.6%. Në Serbi, ndërkohë, çmimet e ushqimeve ishin 5.6% më të ulëta se një vit më parë dhe në Maqedoninë e Veriut 0.3% më të ulëta.

Iluzioni i rritjes së të ardhurave

Edhe pse të ardhurat për frymë janë rritur shpejt dhe Shqipëria është ngjitur në vendin e tretë në rajon në terma nominalë, me 11.2 mijë dollarë për frymë në 2025, fuqia reale blerëse mbetet dukshëm më e ulët.

Kur korrigjohen sipas çmimeve, Shqipëria zbret në vendin e katërt, me vetëm 23.4 mijë dollarë ndërkombëtarë për frymë, shumë poshtë Maqedonisë së Veriut me 29.7 mijë.

Arsyeja është se vendi është shtrenjtuar shumë shpejt: niveli i përgjithshëm i çmimeve arriti në 72.6% të mesatares së BE-së, ndërsa çmimet e ushqimeve në 102.9%, duke bërë që rritja e të ardhurave të përkthehet në një fuqi blerëse shumë më të kufizuar. /Monitor