Ballina Europë Vrasja e Ferdinant Hotit në Itali/ Arrestohet një shqiptar dhe e fejuara...

Vrasja e Ferdinant Hotit në Itali/ Arrestohet një shqiptar dhe e fejuara e tij

61
0

Hetimet për vrasjen e Ferdinant Hotit, 35-vjeçarit shqiptar të gjetur pa jetë më 8 shtator në lumin Tergola, në San Giorgio delle Pertiche, kanë nxjerrë një pistë të re të mundshme: atë të shpërndarjes së drogës.

Siç raportojnë gazetat, hipoteza e re ka dalë nga hetimet e karabinierëve të Miranos për një çështje tjetër: një operacion antidrogë ndaj një banori të Spinea-s, i cili dyshohet se mund të ketë lidhje me të shtënat që ndodhën në Mirano më 1 korrik.

Një operacion antidrogë i zhvilluar paralelisht me hetimet për vrasjen e Hotit çoi në arrestimin e Eris Makajt dhe të dashurës së tij, Noemi Karibba, të cilët ndodhen tani në burgun e Padovës me urdhër të gjyqtarit.

Prej kohësh, forcat e policisë e mbanin Makajn nën vëzhgim. Një kontroll i parë në apartamentin e tij në Spinea nuk kishte dhënë rezultate. Megjithatë, hetimet kishin krijuar dyshimin se burri shpërndante dozat e drogës duke ndaluar me monopatinën e tij përpara makinave të klientëve që ishin të parkuara.

Për këtë arsye u krye një kontroll i ri, këtë herë në banesën e të dashurës së tij, në rrugën Don Minzoni në Mirano, me mbështetjen e njësisë kinologjike. Karabinierët gjetën 800 gramë hashash, rreth 200 gramë kokainë dhe 2 mijë euro në para të gatshme.

Nga sa ka dalë në hetime, Eris Makaj mund të jetë i afërm i Luigji Makajt, 44 vjeç, i arrestuar korrikun e kaluar për tentativë vrasjeje dhe mbajtje të paligjshme të armës së zjarrit në Mirano, së bashku me bashkëqytetarin e tij shqiptar Amiol Gjoka, 39 vjeç.

Viktimë ishte një 25-vjeçar, i cili me shumë gjasë ishte i përfshirë në rrjetin e shpërndarjes së drogës së Makajt dhe po përpiqej të largohej prej tij.

Lidhjet me vrasjen e Hotit janë ende vetëm hipotetike, por hetimet vazhdojnë duke marrë në konsideratë edhe këtë pistë.