Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, ka komentuar hetimin ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, e cila u shkarkua nga detyra pasi ndaj saj u caktua masa e arrestit shtëpiak.
Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, Strazimiri ngriti akuza të forta ndaj Hysenit, duke pretenduar se ajo ka nxjerrë informacione sekrete dhe ia ka transmetuar një personi me të cilin, sipas tij, kishte lidhje sentimentale.
“Në 36 vjet mezi prisnim që Prokuroria të arrestonte drejtorin e SHISH, që për arsye sentimentale, në disa vende ku nuk duhet të ishte, i ka dhënë dashnorit sekretet e shtetit. Nëse mezi prisnim këtë lajm që shteti po funksionon më në fund, që më në fund të kishim një drejtor shërbimi sekret që i shiste sekretet e shtetit skutave, ky është lajm i madh. Duhet ta diskutojmë.
Skandal në 36 vjet dhe tregon degjenerimin e institucioneve të shtetit. Ka 15 vjet që nuk ekziston ky shtet, nuk ka rënë dje. Na është përplasur në fytyrë se shteti nuk ekziston, është në duart e krimit. Na ka kapur Prokuroria shefen e shërbimit sekret duke tregtuar në epshe e sipër sekretet e shtetit.”, tha ai.
Ai e cilësoi ngjarjen si një “skandal” dhe tha se hetimi, sipas tij, tregon gjendjen e institucioneve shtetërore.
“Na është përplasur në fytyrë se shteti nuk ekziston, është në duart e krimit. Na ka kapur Prokuroria shefen e shërbimit sekret duke tregtuar sekretet e shtetit”, u shpreh deputeti demokrat.
Ndaj Hysenit vijon hetimi nga organet e drejtësisë, ndërsa ajo prezumohet e pafajshme deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.







