Ballina Politika Alibeaj ngre alarmin: Vlora Hyseni ka dosje për të gjithë, i ka...

Alibeaj ngre alarmin: Vlora Hyseni ka dosje për të gjithë, i ka ardhur dita e keqe, do t’i përdorë

52
0

Politikani Enkelejd Alibeaj ka ngritur alarmin se ish-drejtoresha e SHISH Vlora Hyseni mund të përdorë informacione dhe dosje për të goditur persona dhe institucione të ndryshme.

I ftuar në nje studio televizive, Alibeaj tha se sjellja e Hysenit, përbën një qasje shantazhuese dhe në shënjestër mund të jenë prokurorë, gjyqtarë, apo vet kryeministri. Sipas Alibeajt Hyseni nuk është vetëm, por është një inxhinieri e tërë njerëzish që janë në të njëjtin hall.

“Më e rënda është sjellja që ka mbajtur zonja (Vlora Hyseni). Është qasja për të bërë shantazh. E bëri sot. Pra ajo është futur në një modus mbrojtje, dhe jo vetëm ajo, por edhe shumë të tjerë që ndihen të rrezikuar. Si mund ta bëjë? Me sulm, e bëri sot dhe do ta bëjë edhe në të ardhmen.

Situata e zonjës është e tillë, ajo është një njeri që në këtë situatë, duke e prezumuar të pafajshme, çdo njeri me dy pare mend e kupton që ajo e ka shkelur ligjin rëndë penalisht dhe fundi i saj është ndëshkim penal.

Në këtë situate ka vetëm një zgjidhje, si e si të mund të shantazojë dhe godasë prokurorë, gjyqtarë, të Apelit, Gjykatës së Lartë, Kushtetueses, KLGJ, KLP, kryeministrin. 

Kush ka shkelur ligjin e di fare mirë, është miza nën kësulë. Ajo nuk është vetëm, është një inxhinieri e tërë njerëzish që janë në të njëjtin hall. Ata edhe mund të kenë fabrikuar dosje për të korruptuar funksionarë të lartë, në drejtësi, Parlament, pushtet, në opozitë, për t’i përdorur për një ditë të keqe, dhe dita e keqe është kjo sot”, tha Alibeaj.