Ballina Rajoni ​Mali i Zi bllokon 24 tonë mish me afat të skaduar, kishin...

​Mali i Zi bllokon 24 tonë mish me afat të skaduar, kishin destinacion kompaninë “Apetiti”

67
0

Një kontejner me 24 tonë mish viçi të ngrirë, i cili ishte destinuar për një kompani kosovare, është bllokuar nga autoritetet doganore të Malit të Zi në Portin e Tivarit.

Sipas njoftimit të Administratës Doganore, bëhet fjalë për mish të porositur nga kompania “Apetit SHPK”, ndërsa gjatë kontrollit të kryer më 24 shtator është konstatuar se produkti kishte kaluar afatin e përdorimit.

“Zyrtarët e Administratës Doganore më 24 shtator 2026 kanë kontrolluar një kontejner me mish viçi të ngrirë, i cili përmbante gjithsej 1,321 paketa, me peshë bruto prej 24,650 kilogramësh. Gjatë kontrollit është konstatuar se afati i përdorimit të mishit kishte skaduar më 14.05.2026”, tha administrata doganore malazeze.

Ndërkohë, kompania “Apetit SHPK”, e cila është me seli në Obiliq dhe merret me prodhimin dhe përpunimin e produkteve të mishit, është kontaktuar nga KosovaPress, mirëpo të njëjtit nuk kanë pranuar të japin përgjigje lidhur me rastin.

Gazeta më e madhe malazeze, raporton se ky nuk është rasti i vetëm i ndalimit të mishit të viçit në ditët e fundit në këtë vend fqinj me Kosovën. Rreth një javë më parë, autoritetet malazeze kishin ndaluar edhe tre kontejnerë të tjerë, me peshë totale prej rreth 77 tonësh.

Sipas autoriteteve, në këto raste deklaratat origjinale, në të cilat ishte shënuar afati i skaduar i përdorimit, ishin hequr dhe zëvendësuar me deklarata të tjera, në të cilat ishte shënuar një afat tjetër.

Mishi i bllokuar në këta tre kontejnerë pritet të asgjësohet pas përfundimit të procedurave ligjore.

Për rastet është njoftuar edhe Organizata Botërore e Doganave, me qëllim që administratat e tjera doganore të jenë të informuara për mënyrën e tentimit për transportimin dhe shpërndarjen e këtij mishi.

Në të dyja rastet, Administrata Doganore e Malit të Zi ka bërë të ditur se ka ndaluar transitin e mishit të viçit me peshë totale bruto prej 102 mijë e 491 kilogramësh, apo rreth 103 tonë.