Ish-presidenti Bamir Topi ka folur me tone të forta për mënyrën e funksionimit të institucioneve në vend dhe për ish-drejtoren e SHISH, Vlora Hyseni, që ndodhet në ‘arrest shtëpie’.
I ftuar në nje studio televizive, Topi tha se nuk ka dyshime se Hyseni, për shkak të marrëdhënies së saj të mëparshme politike, i ka shërbyer shefit të saj politik. Ai theksoi se, nëse gjatë detyrës së saj janë anashkaluar përgjegjësitë institucionale, përgjegjësia duhet të jetë e rëndë dhe duhet të shtrihet edhe te drejtuesit politikë.
“Këta nuk kanë respekt për shtetin, por janë të apasionuar nga pushteti. Të mos jesh i apasionuar, nuk do të doje të ishe në të njëjtin pozicion, por do të doje të merrje një eksperiencë tjetër. SHBA për dy mandate ikën. Këta e thonë njëri me tjetrin; derisa Zoti të na japë frymë.”, tha ai.
Pyetje: Kujt i shërbeu Vlora Hyseni?
Topi: Nuk mbaj rezerva për analizat e mia. Po hetohet nëse i ka shërbyer krimit të organizuar, por padyshim që ka qenë produkt politik dhe, në një marrëdhënie politike, i ka shërbyer shefit politik.
Nëse është anashkaluar detyra, përgjegjësia është e rëndë. Nëse ka marrë një certifikatë jashtë radhe, është përgjegjësi e madhe. Dhe shefi i Ekzekutivit duhet të mbajë përgjegjësi. Por s’kam dëgjuar këtë gjë!”.







