Ballina Politika Tabaku: Çmimet nuk ulen me “polic digjital”, por duke ndryshuar politikat e...

Tabaku: Çmimet nuk ulen me “polic digjital”, por duke ndryshuar politikat e qeverisë

57
0

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar nismën e qeverisë për “pasqyrën digjitale” të çmimeve, duke argumentuar se ajo nuk adreson shkaqet e kostos së lartë të jetesës.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku ngre pyetjen nëse shqiptarët paguajnë më shtrenjtë për shkak të mungesës së informacionit mbi çmimet apo për shkak të politikave të gabuara të qeverisë.

“A janë sot çmimet e larta në Shqipëri sepse mungonte një polic digjital te dera e biznesit?”, shprehet ajo.

Sipas Tabakut, barra fiskale është një nga faktorët kryesorë që rëndon mbi konsumatorët. Ajo deklaron se taksat përbëjnë 60% të çmimit të karburantit, ndërsa produktet bazë ushqimore, si orizi, sheqeri dhe mielli, ngarkohen me 20% TVSH. Për bujqësinë, deputetja evidenton taksat dhe mungesën e subvencioneve si pengesa që rëndojnë mbi fermerët.

Tabaku argumenton se ulja e çmimeve kërkon politika ekonomike që lehtësojnë barrën fiskale, çlirojnë tregjet nga monopolet dhe nxisin konkurrencën. Sipas saj, qeveria ka zgjedhur të mbështesë koncesionarët dhe projektet e kushtueshme në vend të familjeve, fermerëve dhe sektorëve prodhues.

“Qeveria shqiptare nuk ka ndërmend të ndihmojë fermerin, por ndihmon KAYO-n. Nuk ka ndërmend të ndihmojë familjet shqiptare të përballojnë çmimet e rritura, por ndihmon koncesionarët”, deklaron Tabaku.

Në përfundim, deputetja e PD-së kërkon ndryshimin e qeverisë dhe të sistemit, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si “qeveri të pakicës”, që u shërben interesave të ngushta në vend të nevojave të qytetarëve.