Arvina Lleshi ka reaguar publikisht pas akuzave dhe komenteve politike që, sipas saj, janë ngritur ndaj saj gjatë protestës së fundit. Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Lleshi sqaron pozicionin e saj politik dhe thotë se nuk ka qenë anëtare e asnjë partie.
“Rama Burg, Berisha Burg”, shkruan Lleshi, duke theksuar se kjo ka qenë një nga parullat me të cilat është identifikuar që prej ditës së parë të protestës.
Lleshi i përgjigjet edhe një fotografie që po qarkullon në rrjetet sociale, ku ajo shfaqet në një aktivitet në Tiranë më 8 dhjetor 2023. Sipas saj, fotografia po përdoret për të krijuar insinuata rreth qëndrimeve të saj politike.
“Kam qenë vetëm një herë pjesë e një takimi politik, më 8 dhjetor 2023, dhe kam qenë aty me ftesë të një shoku të fakultetit me të cilin bëra një selfie dhe ia dërgova vetëm atij”, shprehet ajo, duke pretenduar se fotografia është bërë publike më vonë për ta sulmuar.
Në reagimin e saj, Lleshi mohon të ketë qenë ndonjëherë anëtare e Partisë Socialiste apo Partisë Demokratike, duke theksuar se nuk ka punuar apo vepruar për ndonjë forcë politike.
Ajo thotë se qëndrimi i saj kundër sistemit politik është i hershëm dhe nuk lidhet me mbështetjen për një parti kundër një partie tjetër.









