Ballina Politika Rama në alarm për votën e Ballukut/ Rebelimi i Braçes dhe Koçekut...

Rama në alarm për votën e Ballukut/ Rebelimi i Braçes dhe Koçekut i ‘vë flakën’ Reformës Territoriale, ja skenarët që mund ta rrëzojnë në Parlament

110
0

Partia Socialiste është futur në një nga krizat më të ethshme të numrave në Kuvend. Projekti i ri i Reformës Administrativo-Territoriale, i cili synon të shkrijë disa bashki dhe t’i zbresë ato nga 61 në 46, po lëkundet në tehun e thikës. Edi Rama ka lëshuar një ultimatum të prerë në mbledhjen e grupit parlamentar: “Kush nuk voton, le të ikë!”. Por matematika e votave në parlament tregon se kërcënimet mund të mos mjaftojnë. Ndryshimi i reformës kërkon një shumicë të cilësuar prej 84 votash. Opozita ka shpallur bojkotin dhe votën kundër, çka do të thotë se syri i mazhorancës është drejtuar nga forca e vet e brendshme dhe aleatët e vegjël.

Në letër, Partia Socialiste ka fituar 83 mandate, ndërsa Partia Socialiste Demokratike e Tom Doshit mban 3 mandate. Së bashku, ky bllok arrinte në 86 vota maksimale. Por sot, ky ekuilibër ka rënë. Deputetja Marjana Koçeku është larguar zyrtarisht nga grupi i PS-së duke dalë si e pavarur dhe ka konfirmuar votën e saj kundër, çka e zbret automatikisht PS-në në 82 mandate maksimale. Nga ana tjetër, deputeti Erion Braçe ka dalë hapur kundër draftit që preket zonat e tij elektorale. Dilema e madhe mbetet edhe te Vullnet Sinaj, i cili shfaqi kundërshti të forta në mbledhjen e grupit, si dhe te zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila ka disa muaj që nuk shkel në sallën e Parlamentit, duke lënë një pikëpyetje të madhe nëse do të jetë e pranishme për të hedhur votën e saj.

Në skenarin e parë, i cili mbetet më i tensionuari për mazhorancën, Edi Rama arrin të detyrojë Belinda Ballukun të kthehet në parlament vetëm për këtë seancë. Vullnet Sinaj thyhet nën presionin e partisë dhe voton pro, ndërsa Erion Braçe lejohet të votojë kundër apo të abstenojë për të ruajtur profilin e tij. Bashkë me 3 votat e PSD-së, kjo do t’i jepte mazhorancës ekzaktësisht 84 vota, duke bërë që reforma të kalojë në kufirin minimal ligjor.

Skenari i dytë parashikon dështimin për shkak të mungesës së Belinda Ballukut. Nëse ajo vijon të mos paraqitet në seancë, ndërsa Braçe dhe Koçeku votojnë kundër dhe Sinaj bindet, mazhoranca mbledh vetëm 83 vota. Në këtë formë reforma bllokohet për vetëm 1 votë mungesë.

Skenari i tretë është ai i rebelimit të Jugut, ku jo vetëm Braçe dhe Koçeku, por edhe Vullnet Sinaj vendos të mbajë premtimin ndaj zonës së tij dhe voton kundër shkrirjes së bashkive. Edhe nëse Balluku kthehet në sallë, rrjedhja e dy deputetëve socialistë e zbret totalin në 82 vota, duke i shkaktuar Ramës një disfatë të rëndë politike.

Skenari i katërt dhe më i ziu për kryeministrin është kolapsi total i numrave. Nëse Balluku nuk vjen, ndërsa Braçe, Sinaj dhe Koçeku votojnë të gjithë kundër, numrat e mazhorancës bien në 81 vota ose më pak në rast të ndonjë mungese tjetër të papritur shëndetësore.

Me këto kalkulime, kuptohet qartë që Edi Rama nuk ka më asnjë luks për gabime apo rebelime. Pa 3 votat e PSD-së së Tom Doshit, reforma është e pamundur që pa nisur votimi. Por tani që Marjana Koçeku doli zyrtarisht kundër, mazhorancës i duhet një disiplinë ushtarake. Nëse Balluku nuk vjen ose nëse Braçe dhe Sinaj nuk dorëzohen përpara ultimatumit, Ramës do t’i duhet të nisë një gjueti të ethshme për të peshkuar vota tek deputetët e pavarur të opozitës.