Një sondë hapësinore japoneze pritet të niset drejt Marsit, me planin për të vendosur një rover gjermano-francez në Fobos, njëra nga hënat e Marsit, në vitin 2029.
Misioni pa ekuipazh “Martian Moons eXploration” (MMX), i drejtuar nga Agjencia Japoneze e Eksplorimit Hapësinor (JAXA), synon të sjellë në Tokë, në vitin 2031, mostrat e para nga Fobosi.
JAXA njoftoi se nisja është planifikuar për të martën, në orën 04:41 (sipas kohës lokale), me anë të një rakete H3, nga qendra hapësinore japoneze në ishullin Tanegashima, në Japoninë jugperëndimore.
Sipas Qendrës Gjermane të Hapësirës Ajrore (DLR), dritarja kohore për nisje mbetet e hapur deri më 7 nëntor.
Anija kozmike pritet të arrijë në Mars në vitin 2027, pas një udhëtimi prej rreth një viti dhe të hyjë në orbitë rreth planetit.
Sipas JAXA-s, misioni pritet gjithashtu të kontribuojë në një kuptim më të mirë të origjinës së Marsit dhe të Sistemit Diellor, si dhe në kërkimet mbi origjinën e jetës.
Roveri Idefix është zhvilluar nga agjencitë hapësinore franceze dhe gjermane. Ai e ka marrë emrin nga librat komikë “Asterix”, ku qeni quhet Idéfix në origjinalin frëngjisht. Kjo është një lojë fjalësh që bazohet në termin idée fixe që do të thotë një ide e fiksuar ose obsesion.







