Luis de la Fuente është një nga pesë kandidatët për çmimin “Topi i Artë” për trajnerin më të mirë të futbollit të meshkujve për vitin 2026.
Sipas medias spanjolle Mundo Deportivo, tekniku i kombëtares iberike shihet si favoriti kryesor për të triumfuar në ceremoninë që do të zhvillohet të hënën në Londër.
Në garë janë edhe Luis Enrique, trajner i Paris Saint-Germain, Mikel Arteta i Arsenalit, Unai Emery i Aston Villës dhe Vincent Kompany i Bayern Munichut. Luis Enrique vjen gjithashtu me një kandidaturë të fortë pas sukseseve me klubin francez, ndërsa De la Fuente mbështetet te arritja më e madhe e futbollit ndërkombëtar.
Spanja fitoi Kupën e Botës, pasi mposhti Argjentinën 1-0 në finalen e zhvilluar më 19 korrik. Sipas raportimit, kombëtarja spanjolle e mbylli turneun pa humbje dhe me vetëm një gol të pësuar, rezultate që kanë rritur vlerësimin për punën e trajnerit.
De la Fuente pritet të marrë pjesë në ceremoninë e Londrës i shoqëruar nga presidenti i Federatës Mbretërore Spanjolle të Futbollit, Rafael Louzán, dhe përfaqësues të tjerë të institucionit.
Suksesi në Botëror ka qenë argumenti kryesor në favor të trajnerit spanjoll, i cili ka ndërtuar një skuadër konkurruese dhe të qëndrueshme. Spanja renditet gjithashtu në krye të klasifikimit të FIFA-s dhe, sipas të dhënave të raportuara, ka regjistruar 43 ndeshje zyrtare radhazi pa humbje.
Tashmë, De la Fuente pret të mësojë nëse dominimi me kombëtaren do t’i sjellë edhe një tjetër vlerësim individual, këtë herë në skenën prestigjioze të futbollit botëror.







