Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me homologun e tij malazez, Milojko Spajiq, në përmbyllje të Samitit të Procesit të Berlinit, të mbajtur më 22 tetor në Shën Stefan të Malit të Zi.
Gjatë takimit, Kurti e falënderoi Spajiqin për mikpritjen dhe për kryesimin e Procesit të Berlinit gjatë këtij viti, si dhe e përgëzoi për përparimin e Malit të Zi në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Kosova dhe Mali i Zi janë fqinjë të mirë dhe kanë të përbashkët hovin e progresit demokratik, siç tregojnë shpesh edhe vlerësimet ndërkombëtare. Mali i Zi është më pranë anëtarësimit në BE dhe jemi të interesuar të mësojmë nga përvoja e tij, teksa Kosova pret statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim”, deklaroi Kurti.
Në takim u diskutua edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në përmirësimin e ndërlidhjes mes dy vendeve përmes infrastrukturës tokësore.







