Ballina Bota Egjipti miraton mbështetjen ushtarake për Arabinë Saudite, rrezikohet përfshirja në konfliktin me...

Egjipti miraton mbështetjen ushtarake për Arabinë Saudite, rrezikohet përfshirja në konfliktin me Huthit

74
0

Parlamenti i Egjiptit ka miratuar të hënën mbështetjen ushtarake për Arabinë Saudite, në një vendim që mund ta përfshijë drejtpërdrejt Kajron në konfliktin rajonal me rebelët Huthi të Jemenit.

Vendimi vjen pas kërkesës së presidentit egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, i cili javën e kaluar i kërkoi parlamentit të autorizonte ndihmën ushtarake për mbretërinë saudite, me qëllim përballimin e sulmeve të rebelëve Huthi.

Një nga shqetësimet kryesore të Egjiptit është siguria e ngushticës strategjike Bab el-Mandab, një korridor jetik detar që lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit dhe që ka rëndësi të drejtpërdrejtë për lundrimin drejt Kanalit të Suezit.

Egjipti, një nga fuqitë më të mëdha ushtarake në botën arabe, iu bashkua koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite në mars të vitit 2015, në fazat e para të luftës në Jemen. Kontributi i tij u përqendrua kryesisht te forcat detare, ndërsa vendi ka dislokuar edhe rreth 800 trupa tokësore, duke mbajtur gjithsesi një rol të kufizuar në operacionet luftarake.

Miratimi i fundit mund të shënojë një zhvillim të rëndësishëm në angazhimin ushtarak të Kajros jashtë kufijve të tij. Egjipti nuk ka dërguar trupa tokësore jashtë vendit në shkallë të gjerë që nga Lufta e Gjirit e vitit 1991.

Përfshirja e mundshme e Egjiptit vjen në një moment kur siguria e rrugëve detare në rajon është bërë një çështje kyçe, ndërsa përshkallëzimi i konfliktit me Huthit mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për tregtinë ndërkombëtare dhe transportin detar përmes Detit të Kuq dhe Kanalit të Suezit.