Ballina Rajoni Greqia kundërshton marrëveshjen detare Turqi-Libi: Është e pavlefshme dhe në kundërshtim me...

Greqia kundërshton marrëveshjen detare Turqi-Libi: Është e pavlefshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare

54
0

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Giorgos Gerapetritis, ka deklaruar të hënën se marrëveshja e vitit 2019 ndërmjet Turqisë dhe Libisë për përcaktimin e kufijve detarë mbetet “e pavlefshme dhe pa asnjë efekt juridik”.

Deklarata u bë në emër të Greqisë, Egjiptit, Qipros, Bahreinit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bashkimit Evropian, pas vendimit të fundit të Dhomës së Përfaqësuesve të Libisë për ratifikimin e memorandumit turko-libian të vitit 2019, transmeton “Bota sot”.

“Memorandumi në fjalë mbetet i pavlefshëm dhe pa efekt juridik, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe nuk mund të shërbejë si bazë ligjore për përcaktimin e zonave detare, e as të krijojë pasoja juridike për shtetet e treta”, deklaroi Gerapetritis.

Në deklaratën e përbashkët thuhet se vendimi i autoriteteve libiane për ratifikimin e marrëveshjes ngre shqetësime serioze për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Gjithashtu, theksohet nevoja për të garantuar që marrëveshjet dypalëshe arbitrare të mos cenojnë rregullat e vendosura të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtat e shteteve të tjera.

Gerapetritis nënvizoi se e drejta ndërkombëtare, veçanërisht Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS), si dhe e drejta zakonore ndërkombëtare, përbëjnë bazën ligjore për përcaktimin e kufijve detarë.

Sipas tij, respektimi i këtyre rregullave është thelbësor për garantimin e sigurisë juridike, parashikueshmërisë dhe marrëdhënieve paqësore ndërmjet shteteve.

Ai paralajmëroi se pranimi i marrëveshjeve dypalëshe që shpërfillin rregullat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare do të krijonte një precedent të rrezikshëm, duke minuar rendin juridik ndërkombëtar dhe parimet mbi të cilat mbështetet zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve.

Sipas deklaratës, memorandumi ndërmjet Turqisë dhe Libisë shkel këto parime themelore, pasi shpërfill realitetin gjeografik dhe të drejtat e të gjitha shteteve bregdetare të përfshira mbi zonat detare, përfshirë edhe të drejtat e ishujve, në përputhje me Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit.

“Vendimi i mëvonshëm i Dhomës së Përfaqësuesve të Libisë nuk e ndryshon këtë realitet juridik”, thuhet në deklaratë.

Vendet nënshkruese riafirmuan gjithashtu mbështetjen për ribashkimin e institucioneve të Libisë dhe krijimin e një shteti të bashkuar e të begatë.

Ato theksuan se një Libi stabile, e angazhuar në bashkëpunimin rajonal, është thelbësore për paqen dhe sigurinë në Mesdhe.

Në fund, nënshkruesit nënvizuan se tranzicioni politik i Libisë dhe marrëdhëniet e saj me vendet fqinje duhet të udhëhiqen nga respektimi i së drejtës ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë.