Nga 1 janari bizneset dhe qytetarët shqiptarë do të përballen me një rritje të ndjeshme të barrës fiskale. Por çfarë do të ndryshojë konkretisht?
Kapitali zbardh të plota të gjitha ndryshimet duke përfshirë edhe efektet përkatëse që ato kanë në xhepin e qytetarëve dhe biznesit.
Sipas paketës së re fiskale këto ndryshime prekin Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Tatimin mbi të Ardhurat Personale dhe Tatimin mbi Fitimin e Bizneseve.
Ulet TVSH e ushqimeve
Shkalla e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për produktet e shportës bazë ulet nga 20 për qind që është aktualisht në 6 për qind.
Kjo ulje do të zbatohet për produktet kryesore si buka, mielli, qumështi, kos natyral, vezët, orizi, makaronat, vaji ushqimor, mishi (pule, viçi, derri), peshku bazë, frutat dhe perimet e freskëta, bishtajoret, sheqeri dhe ushqimet për foshnja.
Sipas relacionit të ministrisë së Financave, kjo lëvizje ul barrën fiskale me 12.8 miliardë lekë ose 140 milionë euro në vit për qytetarët.
Por rritet TVSH për gjithcka tjetër
Shkalla Standarde e TVSH-së që zbatohet për të gjitha produktet dhe shërbimet e tjera përveç ushqimeve do të rritet nga 20 për qind që është aktualisht në 21 për qind nga 1 janari 2027.
Kjo do të thotë rritje e çmimit të karburanteve, energjisë, ujit, dhe çdo produkti apo shërbimi në treg. Kjo lëvizje e rrit barrën e taksave me 10.6 miliardë lekë ose 116.78 milionë euro.
Me pak fjalë, lehtësimi i uljes së tvsh-së për ushqimet, pothuajse asgjësohet nga rritja e kësaj takse për çdo gjë tjetër në treg.
Shtrenjtohen pushimet dhe hotelet
Shkalla e reduktuar për shërbimet e akomodimit në strukturat hoteliere, agroturizëm dhe hotelet me pesë yje (status special) rritet nga 6% në 10%. Ky ndryshim e rëndon barrën e taksave për qytetarët me 6.76 milionë euro shtesë në vit
Masakrohen profesionistët e lirë
Pragu i përfshirjes në skemën e TVSH-së ulet nga 10 milionë lekë xhiro vjetore që është aktualisht, në 5 milionë lekë duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Kjo masë detyron rreth 17,516 biznese të reja të paguajnë TVSH duke e rënduar barrën fiskale me rreth 50 milionë euro në vit.
Kjo masë godet rëndë të ashtuquajturat profesione të lira, ku hyjnë mjekët, avokatët, berberët, gazetarët free lance, dentistët etj etj, të cilët për nga natyra e biznesit nuk kanë blerje dhe pothuajse e gjitha TVSH u shkon drejtëpërdrejtë si taksë mbi xhiron.
Taksat mbi pagat
Tatimi mbi pagat pëson dy ndryshime që ecin në kahun e kundërt me njëri tjetrin. Pragu i aplikimit të taksës 13 për qind rritet nga 200 mijë lekë në muaj që është aktualisht, në 300 mije lëkë në muaj bruto (bazë tatimore vjetore deri në 3,240,000 lekë pas zbritjeve).
Taksa 23 për qind, e cila sot aplikohet duke filluar nga 200 mijë lekë, nga 1 janari nis e aplikohet mbi 300 mijë lekë.
Ky ndryshim ul barrën shtresës së mesme me rreth 22 milionë euro në vit, rrjedhimisht duke u rritur pagat neto për rreth 25,704 punonjës.
Por për rrogat e majme futet një shkallë më e rëndë takse. Sipas paketës, për pjesën e pagave mbi 700 mijë lekë në muaj, tatimi mbi të ardhurat bëhet 32 për qind duke u vendosur kështu një shkallë e re progresive.
Ky tatim mbi pagat e larta prek rreth 1,293 punonjës duke ja u rritur taksat me 11.1 milionë euro në vit.
Në fundi, efekti neto i ndryshimeve në taksën mbi pagat është 11 milionë euro lehtësim.
Tatimi mbi Fitimin dhe Kapitalin
Tatimi mbi Fitimin e Korporatave (Biznesi i Madh), rritet nga 15% që është aktualisht në 17% nga 1 janari. Përjashtim bën biznesi i vogël dhe i vetëpunësuarit me xhiro deri në 14 milionë lekë, të cilët qëndrojnë me normë 0% deri në vitin 2029. Ky ndryshim e rrit barrën e taksave me rreth 55 milionë euro në vit për biznesin.
Tatimi mbi Dividendin
Tatimi mbi dividentin rritet nga 8% që është aktualisht, në 15% duke filluar nga 1 janari dhe unifikohet kështu me të gjitha të ardhurat e tjera pasive nga investimet (interesat, qiratë etj.)
Kjo rritje pritet të sjellë të rëndojë barrën fiskale për biznesin me 33.5 milionë euro të tjera në vit.
Hesapi
Sipas përllogaritjeve të bazuara në shifrat zyrtare të paketës së re fiskale, efekti neto i kësaj reforme do të rëndojë xhepat e biznesit dhe qytetarëve me saktësisht 111.14 milionë euro në vit.
Ky bilanc tregon se rritja masive e taksave mbi kapitalin dhe konsumin e përgjithshëm e tejkalon ndjeshëm lehtësimin e marrë nga ushqimet e shportës dhe pagat e mesme.







