Ballina Europë Tronditëse në Angli, katër burra akuzohen se abuzuan seksualisht me një grua...

Tronditëse në Angli, katër burra akuzohen se abuzuan seksualisht me një grua që e drogoi bashkëshorti i saj për 13 vite me radhë

53
0

Katër burra kanë abuzuar seksualisht me një grua, pasi bashkëshorti i saj i asaj kohe e kishte droguar dhe e kishte reklamuar atë në platformat Craigslist, Grindr dhe në faqe interneti për shkëmbim partnerësh, u bë e ditur në gjykatë.

Norman Macksoni, 48 vjeç, Richard Wilkins, 62 vjeç, Connor Sanderson-Doyle, 32 vjeç dhe Mohammed Hassan, 38 vjeç, po gjykohen në Gjykatën e Kurorës në Winchester, pasi janë deklaruar të pafajshëm për vepra penale seksuale ndaj Joanne Young.

BBC shkruan se, ata akuzohen së bashku me ish-bashkëshortin e saj, Philip Young, 50 vjeç – një ish-këshilltar – i cili ka pranuar se e ka droguar dhe përdhunuar atë për një periudhë prej 13 vitesh.

“Çështja në fjalë ka të bëjë me atë nëse është ndonjëherë e arsyeshme të kryesh marrëdhënie seksuale me një grua të panjohur, pa marrë më parë pëlqimin e saj”, i tha jurisë prokurorja Sarah Jones KC

Joanne Young, e cila ka hequr dorë nga e drejta për të mbetur anonime, i tha policisë se, me sa dinte ajo, kishte pasur një jetë seksuale “mjaft normale” dhe “gjithmonë monogame” me bashkëshortin e saj.

Por, në një rast gjatë vitit 2023, ajo tregoi se u zgjua e lidhur dhe me sytë e mbuluar, ndërsa një burrë – të cilin ajo e mendonte si bashkëshortin e saj – po kryente një akt seksual me të. Gjithashtu, u bë e ditur në gjykatë se një burrë tjetër e kishte kapur për dore.

Jones i shpjegoi jurisë se Joanne besonte se bashkëshorti i saj po kryente aktin seksual, ndërsa në realitet ai po “drejtonte një person tjetër të panjohur”, i cili “po zinte vendin e tij pa dijeninë e saj”.

Ajo theksoi se Joanne kishte hasur në “pjesën e dukshme të një problemi shumë më të madh në marrëdhënien e saj”, një problem që ishte “shumë më ndërhyrës dhe tronditës”.

Jones i tha jurisë se Young e kishte reklamuar Joanne-in në internet, duke kërkuar “të panjohur që të vinin e të flinin me gruan e tij”, në mënyrë që “kushdo të mund t’i bënte asaj çfarë të donte”.

“Ai e paraqiste këtë si një fantazi seksuale të përbashkët, por nuk kishte asnjë dëshmi nga vetë Joanne që ta mbështeste këtë pretendim; përkundrazi, fotot që ai kishte postuar për të reklamuar ofertën e tij, e shfaqnin atë të palëvizshme, të lidhur në shtrat dhe me sytë e mbuluar,” deklaroi ajo në gjykatë.

“Pija që konsumuan së bashku, siç duket, shërbente për ta çuar atë në një gjendje ku kushdo që përgjigjej mund t’i bënte çfarë të donte, ndërsa ajo nuk do të ishte në dijeni ose nuk do të ishte në gjendje të mbante mend asgjë,” shtoi ajo.

Të katër të akuzuarit janë:

-Norman Macksoni, nga Sharnbrook, Bedfordshire, i cili ka mohuar një akuzë për përdhunim në vitin 2017.

-Richard Wilkins, nga Toothill, Swindon, Wiltshire, i cili është deklaruar i pafajshëm për një akuzë për përdhunim dhe një për sulm seksual me penetrim në vitin 2016.

-Connor Sanderson-Doyle, nga Swindon, i cili ka mohuar akuzat për sulm seksual me penetrim dhe prekje seksuale në vitin 2016.

-Mohammed Hassan, nga Swindon, i cili është deklaruar i pafajshëm për një akuzë për prekje seksuale në vitin 2023.

Young ka pranuar fajësinë për 14 akuza për vajerizëm (vëzhgim i fshehtë i personave në situata intime), 11 për përdhunim, 11 për administrim të një substance me qëllim të caktuar, shtatë për sulm seksual me penetrim, katër për sulm seksual dhe një për publikimin e një materiali të pahijshëm.

Ish-këshilltari gjithashtu publikoi më shumë se 500 imazhe dhe video intime të ish-bashkëshortes së tij, si dhe e regjistroi atë duke kryer veprime private për kënaqësinë e tij seksuale, pa pëlqimin e saj, në periudhën midis viteve 2010 dhe 2024.

Young, i cili më parë jetonte në Swindon, por tani banon në Enfield, Londër, pranoi gjithashtu tri akuza për krijimin e imazheve të pahijshme të fëmijëve, një akuzë për posedimin e imazheve të ndaluara të fëmijëve dhe katër akuza për posedimin e materialeve pornografike të natyrës ekstreme.

I pandehuri i gjashtë, Dean Hamilton, 47 vjeç, nga Street, Somerset, ka pranuar fajësinë për një akuzë për sulm seksual me penetrim, dy për sulm seksual dhe një për përdhunim. Young dhe Hamilton do të marrin dënimet në përfundim të gjyqit, i cili pritet të zgjasë deri në katër javë.