Ballina Politika Transferimi në Fier, reagon Veliaj: Ende nuk i di arsyet e këtij...

Transferimi në Fier, reagon Veliaj: Ende nuk i di arsyet e këtij “rrëmbimi policor” që cënon të drejtat e mija

54
0

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka denoncuar këtë të mërkurë një përpjekje për ta transferuar nga institucioni i paraburgimit në Durrës drejt burgut të Fierit, duke e cilësuar procedurën si një “rrëmbim policor”.

Përmes një deklarate për shtyp nga IEVP Durrës, Veliaj bën të ditur se një grup punonjësish të Policisë së Burgjeve, të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë paraqitur për të realizuar transferimin e tij.

Sipas kryebashkiakut, pavarësisht kërkesave të përsëritura të tij dhe avokatit mbrojtës, autoritetet kanë refuzuar t’u vënë në dispozicion aktin që urdhëron transferimin dhe arsyet ligjore që e justifikojnë atë.

“Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia”, deklaron Veliaj.

Ai thekson se nuk ka dhënë pëlqimin për transferimin dhe ka kundërshtuar mënyrën e realizimit të tij, të cilën e konsideron jotransparente dhe në shkelje të të drejtave të tij ligjore.

Në përfundim, Veliaj i drejtohet publikisht ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre urgjente për të verifikuar arsyet e transferimit, të cilin ai e cilëson politik.