Shkencëtarët kanë studiuar ndërveprime në një shkallë rreth 100 miliardë herë më të vogël se atomi, duke depërtuar në atë që fizikanët e quajnë “Zeptoverse”. Rezultatet mund të hapin rrugën për kërkimin e grimcave të panjohura dhe të materies së errët, megjithëse financimi i eksperimenteve të ardhshme përballet me vështirësi.
Shkencëtarët kanë arritur të studiojnë ndërveprime në një shkallë jashtëzakonisht të vogël të natyrës, rreth 100 miliardë herë më të vogël se një atom, duke hapur mundësi të reja për të kuptuar misteret e universit.
Bëhet fjalë për një botë mikroskopike që disa fizikanë e kanë pagëzuar “Zeptoverse”.
Zbulimi vjen nga një eksperiment në përshpejtuesin e grimcave të CERN-it, në kufirin mes Zvicrës dhe Francës, nën drejtimin e studiuesve të Universitetit të Kembrixhit.
Përmes përplasjeve të grimcave me energji shumë të lartë, shkencëtarët kanë studiuar sjelljen e një grimce nënatomike të njohur si kuarku beauty.
Edhe pse kjo grimcë ekziston vetëm për rreth 1.5 të triliontat e sekondës përpara se të shpërbëhet, studiuesit kanë arritur të analizojnë ndërveprimet e saj në distanca tepër të vogla.
Sipas shkencëtarëve, këto matje mund të ndihmojnë në kërkimin e grimcave të reja dhe në kuptimin e materies së errët, e cila përbën një pjesë të madhe të universit, por ende nuk është zbuluar drejtpërdrejt.
Për të vijuar kërkimet, 28 vende kanë rënë dakord për një investim prej 150 milionë paundësh në përmirësimin e detektorit LHCb, që do të mundësonte regjistrimin e dhjetë herë më shumë shpërbërjeve të grimcave.
Por projekti përballet me pasiguri, pasi Mbretëria e Bashkuar ka tërhequr financimin e saj për këtë përmirësim.
Shkencëtarët britanikë paralajmërojnë se vendimi mund të kufizojë pjesëmarrjen e vendit në zbulimet e ardhshme dhe të nxisë largimin e studiuesve të rinj.
Pavarësisht vështirësive financiare, rezultatet konsiderohen një hap i rëndësishëm drejt eksplorimit të proceseve që mund të çojnë në një teori më të plotë për funksionimin e universit.







