Ballina Ekonomia Pasqyra e qeverisë e çon inflacionin në nivele rekord

Pasqyra e qeverisë e çon inflacionin në nivele rekord

44
0

Kosto e jetesës për familjet shqiptare shënoi rritje të ndjeshme gjatë muajit të kaluar, teksa inflacioni u përshpejtua në 3,4 % nga 2,3 % që ishte në Tetor të vitit të kaluar.

Ky është niveli më i lartë i inflacionit që nga janari i vitit 2024. Sipas të dhënave zyrtare nga raporti i fundit i INSTAT, çmimet e konsumit pësuan një rritje prej 0,5 % vetëm brenda një muaji, krahasuar me shtatorin 2026.

Pasqyra e qeverisë e çon inflacionin në nivele rekord

Shtytësi kryesor i këtij shtrenjtimi ishte sërish shporta ushqimore. Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” dha ndikimin më të madh në rritjen vjetore me +1,36 pikë përqindje, i ndjekur nga grupi i “Transportit” me +0,73 pikë përqindje dhe kostot e banesës (qira, ujë, energji, gaz) me +0,56 pikë përqindje.

Në terma vjetorë, çmimet e transportit janë rritur me 11,4 % krahasuar me një vit më parë, ndërsa ushqimet u shtrenjtuan me 4,0 %. Këto shifra tregojnë një goditje të fortë për buxhetet familjare, veçnërisht për familjet e varfra dhe të mesme, ku ushqimet zënë një peshë të konsiderueshme të shpenzimeve të buxhetit total.

Ndërkohë, krahas rritjes së kostove të përditshme të jetesës, familjet shqiptare po përballen edhe me shtrenjtimin e kostove të strehimit. Çmimet në grupin “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” u rritën me 2,4 % në nivel vjetor, duke reflektuar presionin e vazhdueshëm që vjen nga rritja e çmimeve të lëndëve të para dhe kostove të ndërtimit apo riparimit të banesave.

Ushqimet në Shqipëri, më shtrenjtë se në Gjermani, Itali e Spanjë
Ky shtrenjtim i vazhdueshëm merr përmasa edhe më shqetësuese kur krahasohet në nivel ndërkombëtar. Të dhënat zyrtare nga Agjencia Evropiane e Statistikave zbulojnë se Shqipëria është kthyer në një nga vendet me çmimet më të larta të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Evropë, duke lënë pas shtete shumë më të pasura dhe me ekonomi shumë më të zhvilluara.

Sipas Eurostat, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri arriti gjatë vitit të kaluar në 103,8 % të mesatares së Bashkimit Evropian (të matura sipas standardit të fuqisë blerëse). Ky tregues është më i lartë se në vende të fuqishme evropiane si Gjermania, Holanda, Italia apo dhe Spanja.

Përballë ekonomive të ngjashme të rajonit, diferenca e çmimeve është akoma më drastike. Ndërsa Shqipëria e kalon mesataren evropiane, në Maqedoninë e Veriut niveli i çmimeve të ushqimeve është sa 74,8 % e mesatares së BE-së, në Bosnje-Hercegovinë 85,8 %, ndërsa në Serbi 97,1 %.

Pasqyra e qeverisë e çon inflacionin në nivele rekord

Ky kombinim mes çmimeve të larta evropiane dhe të ardhurave të ulëta vendase krijon një miks varfërues për qytetarët. Si pasojë e këtij realiteti, familjet shqiptare detyrohen të shpenzojnë mesatarisht 35,6 % të të ardhurave të tyre totale vetëm për ushqime, ndërkohë që në Bashkimin Evropian kjo peshë zë mesatarisht vetëm 13 % të buxhetit familjar.

Kosto e jetesës ka qenë një nga arsyet kryesore të protestave që kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera të vendit gjatë muajve të fundit, veçanërisht gjatë tetorit dhe nëntorit të vitit 2026. Për të zbutur revoltën popullore qeveria lançoi të ashtuquajturën Pasqyrë Albania, një instrument i cili do të monitoronte çmimet në treg në kohë reale duke sjellë shmangien e abuzimeve dhe rënien e tyre.

Por peshqeshi i Pasqyrës me sa duket është shtrenjtimi edhe më tej në nivele rekord i kostot së jetesës për qytetarët shqiptarë./Kapital