Presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka kërkuar që udhëheqja e re serbe të heqë dorë nga politika e ashtuquajtur “Bota Serbe” dhe të ndryshojë rrënjësisht marrëdhëniet me vendet fqinje.
Në një intervistë për Televizionin Federal të Bosnjë e Hercegovinës, Biserko ka theksuar se ndryshimet politike në Serbi, pas fitores zgjedhore të lëvizjes studentore dhe largimit të Aleksandar Vuçiqit nga pushteti, kanë krijuar një atmosferë të re politike. Megjithatë, sipas saj, reformat e mirëfillta kërkojnë kohë.
Ajo ka vlerësuar se prova kryesore për qeverinë e re do të jetë mënyra se si do të sillet ndaj vendeve të rajonit, veçanërisht ndaj Bosnjë e Hercegovinës dhe në raport me liderin e Republika Sërpskës, Milorad Dodik.
“Beogradi, para së gjithash, duhet ta orientojë komunikimin e tij drejt Sarajevës”, ka deklaruar Biserko.
Sipas saj, autoritetet e deritanishme serbe u kanë dhënë përparësi marrëdhënieve me Dodikun dhe rrethin e tij politik e afarist, në vend të komunikimit institucional me Sarajevën.
Biserko ka ngritur shqetësimin nëse qeveria e re do të vazhdojë politikën e “Botës Serbe”, përmes së cilës Beogradi synon të ruajë ndikimin politik mbi komunitetet serbe në vendet fqinje.
Ajo ka theksuar se udhëheqja e re duhet t’i bindë shtetet e rajonit se kjo qasje nuk do të jetë më pjesë e politikës së Serbisë. Sipas saj, Republika Sërpska nuk do të mund të funksiononte pa mbështetjen financiare dhe politike të Beogradit.
Duke folur për zhvillimet e brendshme, Biserko ka thënë se ndryshimet politike kanë filluar të reflektohen edhe në sistemin e drejtësisë, ku po trajtohen raste që për vite me radhë kanë mbetur pa u adresuar.
Ajo ka vënë në pah edhe ndikimin e krimit të organizuar në rajon, duke theksuar se rrjetet kriminale kanë qendrën në Beograd, por shtrihen edhe në shtete të tjera.
“Krimi i organizuar e ka qendrën në Beograd, por është gjithashtu i lidhur me rajonin më të gjerë. Nëse këto rrjete shpërbëhen me sukses, ndikimi mund të jetë i konsiderueshëm në të gjithë rajonin, deri në Slloveni”, ka deklaruar ajo.
Megjithatë, Biserko ka paralajmëruar se nga lëvizja studentore nuk duhet të priten rezultate të menjëhershme, pasi shumë prej përfaqësuesve të saj nuk kanë përvojë në qeverisje.
Ajo ka vlerësuar se dallimet brenda kësaj lëvizjeje mund të shfaqen gjatë përcaktimit të politikës së jashtme, veçanërisht në raport me Bashkimin Evropian, Rusinë dhe vendet fqinje.
Një tjetër çështje që, sipas Biserkos, duhet të trajtohet nga udhëheqja e re është përballja e Serbisë me trashëgiminë e luftërave të viteve 1990. Ajo ka theksuar se kjo çështje ende nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga lëvizja studentore.
Në përfundim, Biserko ka theksuar se ndryshimi i vërtetë politik në Serbi do të matet përmes tri çështjeve kryesore: marrëdhënieve me vendet e rajonit, përballjes me të kaluarën dhe orientimit të politikës së jashtme.
Sipas saj, vetëm ndryshimi i këtyre politikave mund t’i mundësojë Serbisë të ndërtojë një pozicion më të qartë në arenën ndërkombëtare.







