Një tjetër person i kërkuar ndërkombëtarisht për përfshirje në trafikun e 485 kilogramëve kokainë, të zbuluara në vitin 2022 në fshatin Frakull e Madhe të Fierit, është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë.
Bëhet fjalë për një 49-vjeçar, i cili dyshohet se ka pasur rolin e bashkëfinancuesit dhe negociatorit në këtë aktivitet kriminal.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit/Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “The Wanted”.
Ekstradohet nga Spanja bashkëfinancuesi dhe negociatori i trafikimit të 485 kg kokainë, të sekuestruara në vitin 2022, në fshatin Frakull e Madhe, Fier.
Si rezultat i koordinimit operacional ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Madridit, gjatë kësaj faze të operacionit të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Spanja në Shqipëri të shtetasit të kërkuar ndërkombëtarisht, K. M., alias A. M., 49 vjeç.
Në muajin mars 2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
49-vjeçari akuzohet se, në kuadër të grupit kriminal ku bënte pjesë, ka qenë një ndër financuesit dhe negociatorët për trafikimin e 485 kg lëndë narkotike kokainë, e cila u gjet nga shërbimet e Policisë, e fshehur në thasë me pleh kimik, në vitin 2022, në fshatin Frakull e Madhe, Fier.







