Ballina Kosovë Gjykata Speciale shpall fajtor Thaçin, e dënon me 17 muaj burgim

Gjykata Speciale shpall fajtor Thaçin, e dënon me 17 muaj burgim

37
0

Gjykata Speciale në Hagë e ka shpallur fajtor ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për disa pika të aktakuzës në çështjen që lidhet me pengimin e drejtësisë dhe përpjekjet e dyshuara për të ndikuar te dëshmitarët.

Gjyqtari Christopher Gosnell shqiptoi ndaj Thaçit një dënim të njësuar prej 17 muajsh burgim.

Në këtë proces, Prokuroria e Specializuar e akuzonte Thaçin se, gjatë kohës që ndodhej në paraburgim në Hagë, kishte ndarë informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët dhe kishte dhënë udhëzime me synim ndikimin në dëshmitë e tyre.

Çështja është e ndarë nga procesi kryesor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në të njëjtën dosje për pengim të drejtësisë janë akuzuar edhe ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës Isni Kilaj, ish-ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi dhe veterani i UÇK-së Fadil Fazliu.

Prokuroria kishte kërkuar një dënim prej gjashtë vitesh burgim për Thaçin në këtë çështje. Të pesë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në nisje të procesit.