Në fjalën e mbajtur në forumin e zgjerimit presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa kërkoi përshpejtimin e procesit të zgjerimit.
“Që nga fillimi i mandatit tim, e kam bërë zgjerimin një prioritet strategjik. I kam vizituar të gjitha vendet kandidate disa herë dhe kam punuar ngushtë me udhëheqësit e tyre, institucionet dhe shoqërinë civile për të çuar përpara një proces të suksesshëm zgjerimi. Ky proces është një investim në prosperitetin tonë kolektiv dhe të përbashkët. Krijon mundësi për qytetarët dhe bizneset në mbarë Bashkimin, zgjeron tregjet tona, forcon modelin tonë social dhe rrit kapacitetin tonë për t’iu përgjigjur goditjeve globale”, tha Costa.
Costa ka theksuar përfitimet nga procesi i zgjerimit për shtetet ish komuniste.
“Që nga zgjerimi i vitit 2004, më shumë se 100 milionë njerëz i janë bashkuar familjes tonë evropiane. Ekonomia jonë e përbashkët është rritur me më shumë se 2 trilionë euro. Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore që u anëtarësuan 22 vjet më parë, e kanë dyfishuar më shumë se dy herë madhësinë e ekonomive të tyre. Shtetet e reja anëtare kanë ndihmuar në krijimin e 26 milionë vendeve të punës, nga të cilat më shumë se 6 milionë në vendet e tyre përkatëse.Këto shifra dëshmojnë se zgjerimi nuk është një barrë që duhet menaxhuar”, tha Costa.
Costa veçon integrimin gradual.
“Përfitimet e zgjerimit nuk duhet të fillojnë vetëm në ditën e anëtarësimit. Gjatë procesit të anëtarësimit, ne tashmë po i afrojmë shteteve kandidate integrimin gradual i cili sjell përfitime të dukshme për të gjithë. Paketa e zgjerimit për vitin 2026, e prezantuar nga Komisioni Evropian, e bën të qartë se ekziston vërtet një vrull pozitiv në procesin e zgjerimit. Ne e inkurajojmë fuqimisht këtë përparim dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta ruajnë atë. Humbja e këtij vrulli do të minonte pritshmëritë e qytetarëve dhe do të rrezikonte të ardhmen tonë të përbashkët”, tha Costa.
Costa nënvizoi krahas përfitimeve ekonomike edhe aftësinë e BE-së për të luftuar krimin e organizuar dhe migracionin e paligjshëm.
“Në botën e sotme të pasigurt, zgjerimi shërben për të njëjtin qëllim: të forcojë Evropën si një aktor gjeopolitik, një fuqi ekonomike e qëndrueshme dhe një forcë për paqen. Një politikë e besueshme zgjerimi e bën Evropën më të sigurt. Ajo na bën më konkurrues. Kjo na bën më të qëndrueshëm. U jep njerëzve shpresë, ndërsa bizneseve u ofron mundësi të reja. Një Bashkim më i madh forcon aftësinë tonë për të luftuar krimin e organizuar dhe migracionin e paligjshëm, si dhe për t’iu kundërvënë ndërhyrjeve të huaja. Zgjerimi i forcon vlerat tona. Në mbarë Evropën, integrimi evropian ka ndihmuar në shërimin e plagëve të së kaluarës”,tha Costa.
Shqipëria synon anëtarësimin në vitin 2030 ndërsa konsiderohet si shtet pararojë krahas Malit të Zi, Ukrainës dhe Moldavisë.







