Ballina Rajoni Goditi me shkop gome një protestuese në Athinë, policia greke largon efektivin...

Goditi me shkop gome një protestuese në Athinë, policia greke largon efektivin nga detyra dhe nis hetimin

36
0

Një video e publikuar në rrjetet sociale, ku një efektiv i policisë greke shfaqet duke goditur me shkop gome një protestuese gjatë incidenteve në Athinë, ka sjellë reagimin e menjëhershëm të autoriteteve.

Policia greke ka njoftuar nisjen e një hetimi disiplinor dhe penal ndaj efektivit, i cili do të transferohet nga pozicioni aktual, ndërsa po shqyrtohet edhe pezullimi i tij nga detyra.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 17 nëntorit, në bulevardin Alexandras, pas marshimit tradicional në përkujtim të kryengritjes studentore të Politeknikut të Athinës kundër diktaturës ushtarake të vitit 1973.

Pamjet e shpërndara në internet tregojnë momentin kur polici godet protestuesen, duke shkaktuar reagime dhe duke nxitur ndërhyrjen e autoriteteve.

Në një deklaratë zyrtare, policia greke theksoi se incidentet e dhunës së paligjshme nga efektivët nuk do të tolerohen dhe se çdo rast do të hetohet.

Në marshimin përkujtimor morën pjesë mijëra qytetarë. Pas përfundimit të tij u regjistruan përleshje mes policisë dhe grupeve të të rinjve, gjatë të cilave pesë persona mbetën të plagosur, përfshirë dy policë, ndërsa pesë të dyshuar u arrestuan.