Ballina Aktualitet Shteti i së drejtës, Shqipëria humbet 4 vende në renditjen botërore për...

Shteti i së drejtës, Shqipëria humbet 4 vende në renditjen botërore për vitin 2026

59
0

Shqipëria renditet në vendin e 91-të mes 143 vendeve dhe juridiksioneve në Indeksin e Shtetit të së Drejtës për vitin 2026, të publikuar nga World Justice Project (WJP), me një vlerësim prej 0.48 pikësh në shkallën nga 0 në 1. Vendi ka humbur katër pozicione krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa rezultati i përgjithshëm është ulur me rreth 0.01 pikë.

Në krahasimin me vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshira në të dhënat e paraqitura, Shqipëria lë pas vetëm Serbinë, e cila renditet në vendin e 95-të me 0.46 pikë. Mali i Zi ka rezultatin më të lartë mes këtyre pesë vendeve, duke u renditur i 57-ti në botë me 0.57 pikë, i ndjekur nga Kosova në vendin e 59-të me 0.56 pikë dhe Maqedonia e Veriut në vendin e 65-të me 0.54 pikë. Diferenca mes Shqipërisë dhe Malit të Zi arrin në 0.09 pikë, ndërsa Kosova qëndron 32 pozicione më lart në renditjen globale.

Për Shqipërinë, disa prej rezultateve më të dobëta lidhen me korrupsionin, ku vendi merr 0.37 pikë dhe renditet i 107-ti në botë, si dhe zbatimin e rregullave, me 0.42 pikë dhe vendin e 114-të. Edhe drejtësia civile mbetet ndër fushat me vlerësim të ulët, me 0.44 pikë dhe vendin e 105-të.

Vendet e Europës Veriore vazhdojnë të dominojnë renditjen për funksionimin e shtetit të së drejtës. Danimarka kryeson me 0.90 pikë, e ndjekur nga Norvegjia me 0.89 dhe Finlanda me 0.87 pikë.

Në pesëshen e parë përfshihen gjithashtu Suedia dhe Luksemburgu, duke konfirmuar pozicionin e fortë të vendeve të Evropës Veriore dhe Perëndimore në treguesit e pavarësisë së institucioneve, mbrojtjes së të drejtave dhe kontrollit të pushtetit qeveritar.

Në anën tjetër të renditjes ndodhen Venezuela, me rezultatin më të ulët prej 0.26 pikësh, Afganistani dhe Haiti.

Sipas World Justice Project, përkeqësimi i funksionimit të shtetit të së drejtës lidhet kryesisht me dobësimin e mekanizmave që kufizojnë pushtetin ekzekutiv, ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor dhe kufizimin e lirive qytetare.

Për të nëntin vit radhazi, numri i vendeve që shënojnë përkeqësim është më i lartë se ai i vendeve që përmirësohen. Në vitin 2026, treguesit e shtetit të së drejtës janë përkeqësuar në 62% të vendeve të vlerësuara, ndërsa 38% kanë regjistruar përmirësim.

Liria e shprehjes përkeqësohet në 64% të vendeve

Një nga gjetjet më shqetësuese të raportit lidhet me kufizimin e lirive themelore dhe dobësimin e hapësirës për pjesëmarrjen qytetare.

Sipas indeksit, liria e mendimit dhe e shprehjes është përkeqësuar në 64% të vendeve, ndërsa liria e tubimit dhe e organizimit ka shënuar rënie në 67% të tyre.

Edhe pjesëmarrja qytetare është dobësuar në 65% të vendeve të analizuara, duke treguar një prirje më të gjerë të kufizimit të mundësive për kontrollin publik të institucioneve.

Këto zhvillime ndikojnë drejtpërdrejt edhe në lirinë e medias, duke kufizuar mundësitë e gazetarëve dhe qytetarëve për të kërkuar llogaridhënie nga qeveritë.

Raporti tregon gjithashtu se ndikimi i papërshtatshëm i qeverive mbi sistemet e drejtësisë mbetet një problem i përhapur. Drejtësia civile ka shënuar përkeqësim në 64% të vendeve dhe ajo penale në 58% të tyre. /ekofin.al