Ballina Opinion Përtej bindjeve politike, mbi të gjitha qëndron përgjegjësia ndaj qytetarit

Përtej bindjeve politike, mbi të gjitha qëndron përgjegjësia ndaj qytetarit

36
0

Nga Klevi Elezi

Ndonjëherë, duhet të kapërcejmë paragjykimet për të njohur njerëzit përtej perceptimit që kemi krijuar për ta.

Gjatë mëngjesit të sotëm pata një komunikim me Ministren e Shëndetësisë, znj. Klodiana Spahiu. Të jem i sinqertë, nuk e besoja dhe as nuk e mendoja se mesazhi im do të merrte një përgjigje të drejtpërdrejtë. Por jo vetëm që mora një përgjigje, por pas komunikimit me SMS, ministrja më telefonoi personalisht për të diskutuar mbi një problematikë që prek Spitalin Rajonal të Durrësit.

Gjatë bisedës, ajo u tregua e gatshme të dëgjonte shqetësimin dhe të kontribuonte në gjetjen e një zgjidhjeje. Një gatishmëri që, pavarësisht bindjeve politike apo perceptimeve të krijuara ndër vite, meriton të vlerësohet.

Në përfundim të bisedës, në një komunikim miqësor, i kërkova edhe një takim, jo për të bërë politikë dhe as për të shkëmbyer komplimente, por për t’i shprehur personalisht mirënjohjen dhe një ndjesë simbolike në emër të atyre durrsakëve që, ndoshta, e kanë gjykuar apo trajtuar padrejtësisht.

Durrësi ka nevojë për vëmendje institucionale, për njerëz që dëgjojnë dhe për zgjidhje konkrete. Shëndetësia nuk duhet të jetë çështje rivalitetesh politike, por një përgjegjësi që na bashkon të gjithëve.

Kam besuar gjithmonë se politika nuk duhet të jetë art i paragjykimit, por kulturë e komunikimit. Nuk është dobësi të pranosh se mund të kesh krijuar një perceptim të gabuar për dikë. Përkundrazi, është pjekuri qytetare të rishikosh qëndrimin kur përballesh me një realitet ndryshe nga ai që ke menduar.

Në fund të fundit, njerëzit nuk duhen gjykuar vetëm nga bindjet, pozicionet apo etiketat politike, por edhe nga mënyra se si sillen kur një qytetar troket në derën e tyre me një shqetësim.

Durrësi nuk ka nevojë për më shumë ndarje. Ka nevojë për më shumë bashkëpunim, vëmendje dhe përgjegjësi institucionale.

Faleminderit, znj. Ministre, për komunikimin dhe gatishmërinë e treguar. Shpresoj që kjo bisedë të jetë fillimi i një kontributi konkret për një problem që meriton vëmendje.