Ballina Kulturë Ndjesitë e Valetinës në poezitë ku fryn erë paqeje

Ndjesitë e Valetinës në poezitë ku fryn erë paqeje

52
0

Nga Albert Z. ZHOLI

Libri që keni në dorë është një vëllim poetik. Edhe pse në të bëjnë pjesë edhe esse e meditime, prapë kjo nuk e cënon natyrën dhe brumin poetik të krejt vëllimit. Sepse, edhe essetë dhe meditimet e autores, nuk janë thjesht prozë, meditim e filozofim, por kanë tharmin poetik brenda, tingëllon edhe poezia mes rreshtave.

Kjo autore mund të quhet poete e ndjenjave, e meditimeve. Stili i saj i të shkruajturit poezi, është ai soditës, vëzhgues mbi sendet dhe fenomenet, mbi njerëzit dhe ngjarjet. Dhe mbi këtë vëzhgim, ajo ndërton poezinë, jep mesazhin filozofik, por dhe moral. Ajo është produkt i kohës që jetojmë sot, i dëshirave dhe shpresës, i ëndrrave dhe i zhgënjimeve, por edhe i dhimbjeve, të cilat koha e sotme, për fat të keq, nuk na i kursen…

Poetja qëndron si ai zogu, nëpër të gjitha degët e pemëve të kësaj jete. Ajo e ndërton poezinë duke filluar që nga cicërimat e zogjve, nga pikat e shiut që trokasin mbi asfalt, e duke vazhduar me mallin për shtëpinë e braktisur e të kyçur “për arsye emigrimi”, me natyrën e moralin njerëzor të deformuar nga veset e kohës, nga lakmia për para dhe pushtet! Autorja e përdor si refren vargun “O njeri, o shqiptar”, duke dashur të dialogojë e debatojë me të, duke i bërë pyetjen: “Ku vemi kështu me këtë marramendje, me këtë babëzi?…” Pra, ajo prek e trajton fort e me dhimbje plagën e emigracionit, ose, siç thihej dikur: plagën e kurbetit. Këtë problematikë të dhimbshme, ajo e jep me nota realiste, gjë që të kujton këngën e vjetër shqiptare: “Mbeçë more shokë mbeçë…”

Në vështrimin e poetes bien edhe gjëra “të vogla”, si psh., gjethja e fundit, lisat e moçëm, kujtimet e fëminisë, etj., etj. Dhe nga ky këndvështrim gati romantik, ajo del tek ideja, tek mesazhi realist! “Nga ferra e vogël, del lepuri i madh”- thotë një shprehje e urtë popullore…

Është me rëndësi të vihet në dukje, se poetja nuk qëndron vetëm tek ana pesimiste, trishtuese e fenomenit, e dukurisë. Aspak! Ajo me mençuri di të shpalosë edhe optimizmin për këtë jetë, për të nesërmen e këtij vendi që quhet Shqipëri. Bukur e thotë këtë ndjesi në një nga poezitë e saj, në titull dhe në brendi: “Kjo jetë është e bukur gjithsesi…” Prandaj, ajo shpalos edhe dëshirat e natyrshme dhe gëzimet që të ngjall kjo jetë: dëshirën për poezinë, për fotografinë, për shoqërinë e bukur me djem e vajza, pasionin për t’u shërbyer e bërë mirë njerëzve në nevojë, gëzimin dhe kënaqësinë kur sheh një flutur të bukur mbi supin e një vajze të dashururar…

Të gjitha këto përjetime, lidhen e gërshetohen bukur me traditën dhe moralin e shëndoshë të njeriut shqiptar, me dashurinë e marrëdhëniet prindërore, familjare, ku ndrijnë fjalët më të bukura: baba, nënë, motër, vëlla, shok dhe shoqe, ku shkëlqen fjala – Shqipëri!

Gjithë sa përmendëm më lart, sintetizohen bukur sidomos tek poezia “Kur fal e merr dashuri”. Ndoshta ia vlen të ndalemi pakëz më gjerë te kjo poezi. Autorja shkruan:

A ka gjë më të bukur në botë

Sesa kur sheh në sytë e njerëzve që do

Gëzim e lumturi?

Kur i ke pranë,

Kur jep e merr prej tyre dashuri?…

Ndjesia që përshkon këtë poezi, është pak a shumë në gjithë vëllimin, me ngjyra e nuanca të ndryshme e të larmishme. Por, një gjë lexohet qartë e drejtpërdrejt: Nevoja për më shumë dashuri mes njerëzve, nevoja për më shumë solidaritet mes tyre, po bëhet sot gjithnjë e më shumë kërkesë e kohës! Nuk mund të ecet përpara thjesht e vetëm me individualizmin manjak të fitimit e përfitimin personal, për më shumë pasuri, para e poste! Një njeri i tillë, me të drejtë siç vëren autorja, kthehet në një robot, në një makinë grykësie, pangopësie, të cilit i mungojnë ndjenjat e dashurisë, e respektit, e mallit dhe dhimbjes, e përgjegjësive ndaj familjes e shoqërisë, e në fund, ndaj Atdheut!…

Ky problem, sot është mjaft i mprehtë dhe i debatueshëm në kushtet e demokracisë borgjeze të kohës, kur përplasen dy morale! E rëndësishme është që dashuria njerëzore të jetojë e mbijetojë, të trashëgohet nëpër breza, e të mos humbasë nëpër labirintet e “modernizmit”, bashkë me vet njeriun, pjellë e tij…

A ka gjë më të bukur

Kur sheh natyrën e brishtë dhe të paqtë,

Me zërat e zogjve

Që herë-herë në dritare

Na bëjnë serenatë?…

A ka gjë më të bukur në botë

Sesa kur sheh në sytë e njerëzve përreth

Gëzim e lumturi?

Kur i ke pranë

Kur fal e merr prej tyre dashuri?…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu