Ballina Politika “Pas kopshteve dhe shkollave, fokusi tek infrastruktura në nivel kapilar”, rehabilitohet një...

“Pas kopshteve dhe shkollave, fokusi tek infrastruktura në nivel kapilar”, rehabilitohet një tjetër bllok banimi në Laprakë, Veliaj: Do vijojmë me blloqet e tjera

21
0

Bashkia e Tiranës ka nisur rehabilitimin e bllokut të banimit që kufizohet nga rrugët “Lord Bajron”, “Riza Cuka”, “Pandi Dardha” dhe “Dritan Hoxha” në Njësinë 11, e populluar me pallate të vjetra dhe banesa private. Investimi i ri, jo vetëm do të krijojë një mjedis më të jetueshëm për komunitetin e zonës, por do të lehtësojë edhe qarkullimin e mjeteve nga Spitali i Traumës.

Punimet u inspektuan nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili deklaroi se ky është një projekt i jashtëzakonshëm, kërkesë e komunitetit të zonës. Ai nënvizoi se projekti parashikon edhe rikuperimin e trotuarëve dhe të shesheve të zaptuara në këto 30 vite, duke ua kthyer ato komunitetit.

“Më vjen mirë që po e mbajmë fjalën sot. Po pastrohen të gjithë çibanët, po rregullohen sheshet. Më në fund kemi trotuarë në një zonë e cila kishte dalë jashtë kontrollit. Ndër vite ishin toleruar disa gjëra që nuk duhej të toleroheshin: zaptimi i shesheve të pallateve, zaptimi i xhepave të vegjël e lulishteve, zaptimi i këndeve të lodrave. Me skemën e re, me stolat, me lulet, me këndet e lodrave, me xhepat mes pallateve, i kthehet jeta komunitetit. Më vjen mirë që pjesa më e madhe e banorëve ka qenë bashkëpunues, edhe dikush tjetër që mund të ketë ndërtuar ndonjë mur apo ndonjë lidhje të vogël pa leje do të duhet që të na mirëkuptojë. Vjen një moment ku secili prej nesh do të duhet të respektojë ligjet e bashkëjetesës”, deklaroi ai.

Kryetari i Bashkisë tha se përmirësimi i infrastrukturës publike dhe rehabilitimi i fasadave të pallateve, përmes “Fondit të Komunitetit”, po rrit vlerën e pronës së qytetarëve. “Në momentin kur cilësia e rrugës, ndriçimi led, infrastruktura e futur nën tokë përkon edhe me pallatet që janë estetikisht të pranueshme, unë besoj se rritet vlera e gjithë komunitetit. Njerëzit këtu vijnë nga të gjitha cepat e Shqipërisë dhe kanë mësuar bashkëjetesën, që pavarësisht nga vijnë, pavarësisht si i kemi kushtet, do të duhet të bashkëjetojmë dhe të punojmë për të mirën e komunitetit. Më vjen mirë që e mbajmë këtë premtim! Do të doja shumë, edhe në bashkëpunim me banorët, të rregullojmë çështjen e parkimit të rezidentëve, që sigurisht është faza e dytë, mbasi firma të mbarojë punën”, shtoi më tej Veliaj.

Kreu i Bashkisë siguroi se puna nuk do të ndalet në këtë bllok banimi. Ai theksoi se një vëmendje e shtuar po i kushtohet investimeve në periferi, duke u fokusuar në nivel kapilar.

“Me të mbaruar këtë bllok fillojmë me bllokun tjetër. Qytetarët duhet të na mirëkuptojnë: nuk hapim dot 10 blloqe njëherësh, se i bie të paralizohet jeta e komunitetit. Ajo që zakonisht bëjmë është një efekt domino, mbarojmë një bllok pastaj fillojmë një bllok tjetër. Po më vjen mirë tani që i jemi turrur periferisë, dhe fakti që ne kemi bërë super shkolla në ekstremin e Njësisë 11, siç janë shkollat “Kennedy”, “Nënë Tereza”, “Andrea Stefani”, “Kristo Frashëri” dhe “Vaçe Zela”, tani mund të fokusohemi te niveli kapilar nëpër lagje”, nënvizoi Veliaj.

Punimet parashikojnë shtrimin e të gjitha rrugicave brenda tij, si dhe rrjetin e kanalizimeve, të ujësjellësit. Gjithashtu, janë krijuar dhe sheshe që mund të shfrytëzohen nga grupmosha të ndryshme.