Ballina Aktualitet Të burgosurit duan amnistinë/ 80 milionë euro në vit për të mbajtur...

Të burgosurit duan amnistinë/ 80 milionë euro në vit për të mbajtur në burg hallexhinjtë

30
0

Shteti shqiptar shpenzon plot 80 milionë euro për të mbajtur në burg vetëm hallexhinjtë.

“Fiks Fare” siguroi dokumente nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe bisedoi me Avokaten e Popullit dhe Drejtoreshën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit për kostot dhe kushtet e mbajtjes në qeli të personave që kryejnë vepra penale.

Në redaksinë e emisionit investigativ mbërriti një letër, e firmosur nga 145 të burgosur në Peqin, të cilët kërkojnë ndihmë që t’u dëgjohet zëri. Ata kërkojnë të amnistohen, teksa pohojnë se mos të lirohen vetëm VIP-a. Shumica e personave që që kanë firmosur, janë të paraburgosur dhe jo të dënuar!

Kërkesa e tyre vjen në një kohë që ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka dërguar në Kuvend një draft për amnistinë penale, teka përfitojnë 4 kategori. Nga kalkulimet e deritanishme, sipas Manjës, “përfitojnë 700 persona të dënuar dhe 2500 persona në shërbim prove”. Ministri tha disa javë më parë se janë “2500 persona të paraburgosur më shumë sesa standardet e BE”. “Amnistia në këtë moment përveç parimeve të tjera, do na shërbejë edhe ne për të na krijuar një mundësi të sistemit siç duhet” pohoi ai.

Më shumë të paraburgosur sesa të dënuar

Por, sa shpenzohet për të mbajtur një të dënuar/paraburgosur në qeli?! Aktualisht, në burgjet shqiptare ka më shumë të paraburgosur se të dënuar! Nga rreth 5800 të burgosur, 2292 janë të dënuar dhe 3087 janë të paraburgosur. Gjithashtu janë edhe 460 persona me masë mjekësorë. Ndërkohë, kostoja ditore e një të burgosuri është 3.759 lekë“Gjithashtu ka edhe 460 persona që janë persona me masë mjekësore. Janë ata që janë të paaftë që kanë probleme të shëndetit mendor. Është një shifër e lartë, nga vitet e larta dhe ka ardhur në rritje. Sot jemi me një mbipopullim prej 150 persona në total” tha Erinda Ballanca, Avokate e Popullit. Ndërkohë, në sistemin e burgjeve punojnë plot 4594 persona, të cilët mbajnë të izoluar 5800 të privuar nga heqja e lirisë.

Fiks Fare siguroi të dhëna zyrtare për buxhetin vjetor të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke llogaritur pagat e punonjësve, mirëmbajtjen e institucioneve të vuajtjes së dënimit, naftën, riparimet, tenderët e ushqimeve, kamerave etj. Në total, në një vit, burgjet shpenzojnë gjithsej 8 miliardë lekë, ose rreth 80 milionë euro. “Vetëm për shpenzimet e personelit, paga dhe sigurime, harxhohen 5,5 miliardë lekë, ose 69 % e vlerës totale të buxhetit” thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, drejtuar Fiks Fare.

Avokatja e Popullit thotë se shifra është akoma më e lartë në buxhetin e shtetit, pasi ka qindra të burgosur që marrin pafajësi. “Nëse të tëra paratë që ne shpenzojmë për këta të paraburgosur, që është një shifër jo e ulët, do të çoheshin në projekte sociale, ndoshta s’do të kishim një numër kaq të madh të personave që janë të kriminalizuar. Shifra që ne harxhojmë për një person të dënuar për të mbajtur në burg është gati 15 fishi i asaj që i japim një familjeje të tërë në nevojë”  pohon ajo.

Gati çdo muaj, Drejtoria e Burgjeve shpall tendera me vlerë disa miliona euro për blerje ushqimesh, veshjesh apo edhe për sistemet e sigurisë. Disa nga këto procedura janë hetuar edhe nga organet ligjzbatuese, ku në pranga kanë rënë disa drejtues të burgjeve. Madje, një nga procedurat e dyshimta ishte edhe tenderi i mirëmbajtjes së sistemit të sigurisë në vitin 2023, me vlerë 6 milionë euro. Ngjarjet e mëvonshme, ku një i dënuar vrau po një të dënuar në Peqin, treguan se ky sistem nuk funksiononte.

Shkaktarët e burgosjes masive, Vetingu dhe reforma në drejtësi

Fiks Fare bisedoi me Avokaten e Popullit, Erinda Ballanca, duke e pyetur se si ka mundësi që ka më shumë të paraburgosur sesa të dënuar. “Shqipëria ka një numër të lartë të të burgosurish por edhe të paraburgosurish që është e treta në Këshillin e Europës për numrin më të lartë të vendeve. Dhe vjen pas vetëm pas Turqisë dhe Azerbajxhanit. Mendoj se ka ardhur për shkak të politikës penale, s’ka qenë e duhura dhe vazhdon të jetë e tillë. Rregulli duhet të jetë që burgosesh kur ke një vendim të formës së prerë” thotë ajo, teksa më tej sqaron se një nga faktorët ka qenë edhe reforma në drejtësi.

“Problematikë që ka sjellë këtë situatë është edhe reforma në drejtësi, sot kemi gjysmën e kapaciteteve të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kjo sjell zgjatjen e proceseve gjyqësore. Në vitin e fundit ne kemi evidentuar jo vetëm afate në gjykim, por edhe afate të gjata edhe në zbardhjen e vendimeve. Nuk zbardhen as vendimet në kohë dhe kemi mesatarisht për persona që janë dënuar 6 muaj për t‘u zbardhur vendimi në kohë” shton Ballanca.

Por, me reformat që janë marrë apo po ndërmerren, a mund të rregullohet kjo situatë?! “Doli edhe një draft i Kodit Penal dhe mesa u pa kemi edhe një ashpërsim tjetër, duke kriminalizuar edhe një numër tjetër veprash penale. Procesi i Vetingut ka sjellë në një lloj vullneti të madh të prokurorëve dhe gjyqtarëve që të çojnë në burg të gjithë personat” pohon ajo./tch