Ballina Bota Të larguar nga shtypja në Kinë, myslimanët kërkojnë lirinë në qytetin e...

Të larguar nga shtypja në Kinë, myslimanët kërkojnë lirinë në qytetin e Nju Jorkut

18
0

Roja kufitare amerikane ndaloi në kufirin jugor më shumë se 24,000 shtetas kinez gjatë vitit 2023. Një rritje dramatike prej 12 fish krahasuar me një vit më parë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Aron Ranen nga Nju Jorku, mes atyre që kërkojnë azil të bie në sy një grup i vogël myslimanësh kinez të etnisë hui.

Emigrantët kinezo-myslimanë të etnisë hui, të ardhur kohët e fundit në Shtetet e Bashkuara, mblidhen në lagjen Flushing të qytetit të Nju Jorkut për një darkë hallall të ofruar nga një biznesmen lokal i etnisë hui. Ata kaluan kufirin jugor amerikan pa viza dhe kërkuan azil politik.

Në të kaluarën, shtypja e qeverise kineze ndaj komunitetit hui ishte më e vogël krahasuar me myslimanët ujgurë. Por historitë që tregojnë emigrantët që sapo kanë ardhur, sugjerojnë për përkeqësim të situatës. Ata duan që emrat e tyre të mbahen sekret nga frika e persekutimit të familjeve të tyre në Kinë.

“Policia të kontrollon telefonin, fotografitë, mesazhet, median sociale. Nëse të gjejnë diçka për fenë, ju dalin probleme të mëdha”, thotë një emigrant mysliman i etnisë hui.

Ai thotë se zyrtarë të qeverisë kineze shkuan në shtëpinë e tij kur mësuan se ai dhe bashkëshortja praktikonin fenë myslimane.

“Disa njerëz u futën në shtëpinë time dhe mbajtën shënime se çfarë bëjmë ne. Ata erdhën disa herë për kontroll dhe ne nuk mund ta praktikojmë besimin tonë”.

Autoritetet kineze i mohojnë akuzat për shtypje. Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, ata thanë se:

“Qeveria kineze i mbron liritë fetare të qytetarëve në përputhje me ligjin. Të gjitha grupet etnike në Kinë gëzojnë të drejtën e besimit fetar siç e përcakton ligji. Në Kinë nuk ka ndërhyrje tek feja”.

Profesorit David Stroup, ekspert për çështjet kineze, thotë për Zërin e Amerikës se shtypja fetare në Kinë ka patur një shtrirje të gjerë gjatë dekadës së fundit.

“Duke filluar nga viti 2014, qeveria kineze ndërmori hapa për të vendosur kufizime ndaj fesë myslimane, pra kufizime në praktikimin e besimit fetar”.

Profesori thotë se më shumë myslimanë kinezë po kërkojnë strehim politik pas përshkallëzimit të fundit të kontrollit të qeverisë mbi liritë fetare.

“Në vitin 2023 pati një përplasje të madhe lidhur me restaurimin e një xhamie. Shteti kinez tha se stili i ndërtimit ishte i paligjshëm. Banorët u përleshën me policinë lokale dhe kjo shtoi frikën e shtimit të shtypjes ndaj tyre.”

Emigrantët e ardhur në lagjen Flushing mbështeten tek komuniteti lokal për strehë, veshje dhe ushqime. Por ata janë të shqetësuar për familjet që kanë lënë pas.

“Nuk jemi vetëm ne por ka edhe shumë besimtarë të tjerë myslimanë që janë larguar nga Kina, që për shkak të shtypjes kanë ikur nga vendlindja e tyre dhe janë vazhdimisht në lëvizje. Ne jemi një numër i vogël njerëzish që kanë patur fatin të vijnë në Shtetet e Bashkuara”, thotë një mysliman emigrant nga Kina.

Ndërsa janë në pritje të vendimit për azil, këta emigrantë po praktikojnë besimin e tyre pa frikë dhe po ndërtojnë jetë të reja për veten dhe familjet e tyre.