Ballina Sport Euro 2024/ Turqia mund 3-1 Gjeorgjinë në rebeshin e Dortmundit, debutim i...

Euro 2024/ Turqia mund 3-1 Gjeorgjinë në rebeshin e Dortmundit, debutim i hidhur për djemtë e Sagnol! Magjeps Arda Guler

25
0

Grupi F i Euro 2024 nisi këtë të martë me fitoren 3-1 të Turqisë kundër Gjeorgjisë, në ndeshjet e raundit të parë. Debutim i hidhur për gjeorgjianët e Uilly Sagnol, që paçka disa rasteve të mira nuk ia dolën të merrnin pikë në ndeshjen e parë historike për ta në një turne madhor.

Përballja në “Iduna Park” nisi me sherrin e tifozëve të dy skuadrave në stadium, shoqëruar kjo edhe me rebeshin dhe stuhinë në Dortmund. Dueli u zhbllokua në minutën e 25-të nga turqit me Muldur, që shënoi një supergol fluturimthi.

Vetëm dy minuta më vonë ishte Yildiz që shënoi një gol të bukur, por VAR “ngriu” festën e Turqisë. Në të 32 minutë Gjeorgjia vendosi ekuilibrat me golin e Mikautadze, për ta mbyllur pjesën e parë në shifrat 1-1.

Fillimi i fraksionit të dytë solli supegolin e Arda Guler, me djaloshin e Real Madrid që nga 26 metra kaloi Turqinë në epërsi. Fundi i ndeshjes solli përparimin e Gjeorgjisë, që në fund harroi mbrojtjen.

Në sekondat e fundit portieri i Gjeorgjisë la katërkëndëshin në zhvillimet e një këndoreje dhe Akturkoglu me një kundërsulm dhe portën bosh nuk e pati të vështirë të shënonte golin e tretë për Turqinë.