Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, gjatë një takimi me qytetarët e degës nr. 7 në Tiranë, u shpreh se ai dhe forca e tij politike përfaqësojnë një model ndryshe nga partitë tradicionale. Ai theksoi se është i “papërlyer”, “i pakapur”, “i pakapshëm” dhe “i pakorruptueshëm”, duke theksuar se ka arritur gjithçka me punën e tij, pa bërë kompromise apo pazare politike.
Sipas Shehajt, Partia Mundësia nuk ka pranuar asnjë marrëveshje të fshehtë dhe kërkon votën vetëm nga qytetarët e thjeshtë, jo nga të fortët apo interesat e ngushta:
“Pse unë jam ndryshe? Unë jam ndryshe sepse ia kam dalë me punë, nuk ia kam shtrirë dorën askujt. Jam i papërlyer, jam i pakapur, i pakapshëm dhe i pakorruptueshëm. Nëse ti shikon alternativa të tjera të ngjashme, unë nuk shoh. Nëse ka një parti që është ndryshe nga të tjerët, jemi ne. Ne jemi e vetmja parti politike që nuk pranuam pazare, as nuk u ulëm. Zgjodhëm të mos bënim Pazar me asnjë. Ne duam votën e qytetarëve të thjeshtë, ky është modeli ynë, jo modeli i të fortëve.”
Në vijim të fjalës së tij, Shehaj theksoi se qëllimi kryesor i tij është realizimi i premtimit për kursimin e 1 miliardë eurove nga administrata, të cilat do të rikthehen tek qytetarët në formën e uljes së taksave:
“Premtimi më i madh, kursimi i 1 miliardëshit, është synimi im. Unë do ta marr administratën, do ta kthej me kokën poshtë, do ta shtrydh. O nxjerr 1 miliard, o rashë e vdiqa. Do kursej 1 miliardë nga gjithë ata që shpërdorojnë paratë e qytetarëve. Të gjithë ata që na sulmojnë sepse duan që gjërat të mos ndryshojnë, të hidhen përpjetë, nuk na ndalojnë.”