Ballina Kulturë Poetët dhe poetet përballë inteligjencës artificiale…..

Poetët dhe poetet përballë inteligjencës artificiale…..

84
0

Nga Alban Hajrushi

Në kohën tonë, zhvillimi i teknologjisë ka hyrë thellë edhe në fushën e letërsisë, duke krijuar një realitet të ri ku shumëkush i drejtohet inteligjencës artificiale për të prodhuar poezi; kjo dukuri nuk është thjesht një ndryshim teknik, është një deformim i vetë kuptimit të krijimit letrar, sepse poezia nuk lind nga komoditeti, ajo lind nga përjetimi, nga përballja me vetveten dhe nga një proces i gjatë reflektimi dhe përpjekjeje.

Poezia nuk është një lojë fjalësh dhe as një produkt që mund të ndërtohet me komanda të shpejta; ajo është një akt i brendshëm, i lidhur me ndjenjën, kujtesën dhe përvojën personale, dhe kur ky proces zëvendësohet nga mekanizma artificialë, krijimi humbet thelbin, bëhet i zbrazët, pa peshë dhe pa ndikim të vërtetë, nuk ka jetë dhe nuk arrin të krijojë lidhje me lexuesin.

Në këtë kuptim, siç theksohet në librin Teoria e letërsisë të autorit Zejnullah Rrahmani, “Leximi është kushti elementar që një poezi të përjetohet si e tillë”; kjo nënkupton se poezia nuk ekziston realisht pa u përjetuar, dhe një krijim që nuk buron nga përjetimi rrallëherë arrin të krijojë përjetim te tjetri. Një problem edhe më shqetësues është fakti se po krijohet një prirje për të marrë një emër sa për sy e faqe, për t’u quajtur krijues pa kaluar nëpër procesin e vërtetë të formimit, pa lexuar, pa studiuar dhe pa ndërtuar një vetëdije letrare; kjo nuk është vetëm dobësi individuale, është një rrezik për vetë kulturën letrare, sepse e ul nivelin dhe e zbeh kuptimin e vlerës. Shpesh vërehet mungesë e njohjes së figurave stilistike dhe e ndërtimit të mirëfilltë artistik, duke mbetur në nivelin e një shkrimi të zakonshëm që nuk ka thellësi dhe nuk lë gjurmë; kjo është pasojë e mungesës së përjetimit dhe të dijes, sepse kur krijimi nuk kalon nëpër përpjekje dhe reflektim, nuk mund të prodhojë vlerë.

Ndikimi i kësaj dukurie shtrihet edhe përtej krijimit, duke prekur profesionet që lidhen me librin; roli i redaktorit, lektorit dhe recensuesit dobësohet, ndërhyrja profesionale zëvendësohet nga procese automatike, dhe kjo sjell rënie të kujdesit ndaj cilësisë së krijimit. Tashmë kjo prirje është e dukshme edhe në rrjetet sociale, ku fotografitë krijohen me inteligjencë artificiale dhe mbi to vendosen vargje që pretendojnë të jenë poezi, ndërsa rezultati shpesh është i zbrazët dhe pa ndjenjë; krijohet një pamje e bukur në sipërfaqe, ndërsa përmbajtja mbetet e dobët dhe pa thellësi, duke e kthyer poezinë në një element dekorativ dhe jo në një përjetim të vërtetë.

Edhe forma të tjera shprehjeje po zëvendësohen gradualisht, duke u hequr dorë nga përpjekja personale, ndërsa gjuha që prodhon inteligjenca artificiale mbetet e njëjtë, e përgjithshme dhe e dallueshme, pa individualitet dhe pa zë të veçantë, gjë që tregon kufizimin e saj në raport me krijimin artistik. Poezia kërkon kohë, kërkon përkushtim dhe kërkon ndershmëri me vetveten; ajo nuk pranon rrugë të shkurtra dhe nuk ndërtohet mbi iluzione.

Një krijim i vërtetë lind nga një proces i gjatë dhe i vështirë, ku autori përballet me mendimin dhe me ndjenjën e tij, dhe vetëm kështu mund të krijohet diçka që ka peshë dhe kuptim. Në një botë ku gjithçka po bëhet e shpejtë dhe e lehtë, rreziku më i madh është humbja e thelbit, dhe pikërisht këtu qëndron përgjegjësia për ta ruajtur poezinë si një akt të vërtetë njerëzor; pa lexim nuk ka poezi të gjallë, pa përjetim nuk ka krijim të vërtetë.