Ballina Kulturë Thesari i një apartamenti me tulla të vjetra

Thesari i një apartamenti me tulla të vjetra

107
0

Nga Mehmet Elezi

S’e ka emrin Lumo Skëndo. Megjithatë është një prej bibliofilëve më të mëdhenj të Tiranës së sotme. Në mos qoftë më i madhi.

Në fëmininë time mbiemri Metalia fshihte një mister të bukur e të dhimbshëm. Kam qenë në klasë të parë ose të dytë, kur dëgjova nga vëllezërit më të rritur se një poet nga Dragobia kish botuar libër me vjersha. Tropojasi i parë me libër në Tiranë! Malsia kishte nxjerrë poetë popullorë të paarritshëm, si autorët e poemave të Eposit “Gjergj Elez Alia”, “Martesa e Halilit”, “Ajkuna kjan Omerin”. Por ata kishin mbetur anonimë. Ky nuk ishte anonim, ky e kishte emrin në libër. Vëllezërit më të rritur më kishin folur për Odisenë e për Homerin e verbët. Edhe Idriz Bashë Metalia, autori i librit, qenkësh i verbër. Dritën e syve ia kishte ngrënë Mathauzeni. Si kish dalë i gjallë prej asaj skëterre të nazizmit?

Punoja në “Zërin e Popullit” dhe e shihja mëngjeseve duke ecur trotuarit, përskaj Hotel Pezës. Me syze të errëta e me një shtagë të trashë. Pllakat kumbonin prej goditjes së shtagës. Më dukej sikur i pyeste: mos i patë kund sytë e mi? Nuk di ku m’i kanë hedhur sytë e mi.  Druaj po m’i shkelin sytë e mi!

Edhe titulli i librit të tij poetik: “Sytë e mi”.

Pata një shtytje të brendshme me i marrë një intervistë. Mos e përmend, më thanë, e ka biografinë sterrë. I ka tërë njerëzit të burgosur politikë, të internuar, të shpallur “kulakë”.

Bibliofili i rrallë Sami Metalia është njëri prej tyre.

Në bibliotekën vetjake të Samiut, më thotë historiani Vasfi Baruti, kam gjetur libra që s’i ka biblioteka kombëtare. Dhe dokumente, që s’i ka arkivi i shtetit.

Dua t’i bëj një vizitë në shtëpi, Samiu na e shtyn disa ditë për shkak të shëndetit të lodhur. I internuar politik, ka punuar vite e vite me helme nëpër duar. Pompën me insekticid në shpinë, spërkat ara e pemë. Dhe helmet nuk u shtresuan vetëm nëpër ara e pemë.

Të gjitha faqet e mureve të apartamentit të tij janë të mbuluara me libra. Në kuzhinë, në mesore (korridor), në dhomë. Ku mjaftonin ato mure? Ngjitur është banesa e së bijës. Më e gjerë. Samiu  ia ka “pushtuar” plotësisht. Nuk dallohet një pëllëmbë vend mur. Duket sikur edhe shtëpia e saj është ndërtuar me libra, në vend të tullave.

Në duar të ve një botim 400-vjeçar. E mbaj frymën, nuk u besoj syve: është “Doktrina e Krishtenë” (“Dottrina Christiana”) e Pjetër Budit, botim i vitit 1644!

Pasi e ke shfletuar këtë, duke e prekur ngadalë, sikur po prek retinën e syrit, vjen botimi i parë i “Visareve të Kombit” (në Sarajevë); botimi i parë “Lahutës” e i disa veprave të tjera  të Fishtës; “Shkarthi”, pjesë nga Letra e Shën Palit drejtuar Romakëve, sjellë në shqip prej Gazullit (“Zoja e Papërlyeme”, Shkodër 1932). Ja edhe një përmbledhje poetike e autorit Selam H. Shtylla “Këngët e mëngjesit” (Korçë, 1936), mbi të cilën është shenimi i autorit me shkrim dore: “Poetit Lasgush Poradeci, Shenjë adhurimi”. Dhe dorëshkrime origjinale, përkthimet të bëra në burg nga të dënuarit politikë. U kërkohej t’i sillnin në shqip, si njerëz pa emër. Këto të Fishtës i kam dhuratë prej babës, thotë Samiu. Ka qenë i shkolluar në Stamboll.

Do të kish mjaftuar zbulimi i librave të Fishtës, fshehur nga familja, që të atit t’i shtoheshin edhe disa vjet burg.

Një raft me shumë syza (sirtarë) ruan dokumente me vlerë për historinë kombëtare. Aty janë kujtimet në dorëshkrim të Ferit Vokopolës, një prej nënshkruesve të Pavarësisë. Ka edhe dokumente nga arkivi i Partisë Komuniste, që zbardhin të vërteta që regjimi i fshihte.

Zonja e tij, artiste – e diplomuar për pkturë – kujdeset që gjithçka të jetë në vendin e duhur. Por… a është nevoja? Samiu e ka arkivin e tij në kokë. E di në cilën syzë ndodhet kjo ose ajo dosje, ky ose ai dokument.

Në fund të befason prapë: të lëshon përpara një libër të vjetër, ti e shfleton me butësi e ia kthen. Jo, thotë, është për ty. Më dhuron “Historinë e Skënderbeut” të Naimit, botim i vitit 1934 (“Korçë, Libraria “Drita”)”. Nuk ia pranoj. Kam dy kopje, thotë.

Si i ka gjetur?

Në rrugë. Që në fillim të viteve nëntëdhjetë, kur u shemb regjimi komunist, dil herët e kërko nëpër grumbujt me libra të vjetër. Shitësit e tyre filluan ta njohin, i çonin fjalë. Një herë një ministre urdhëroi të zbrazej biblioteka e dikasterit nga “këto vjetërsira”. Samiun e njofton dikush, turret, s’u le kohë me ra në tokë. Edhe kur ka një kopje, blen një të dytë, “qenka më e ruajtur”.

Njerëzit kalojnë përskaj asaj ndërtese me tulla të vjetra, pa i shkuar kujt ndërmend ç’thesar ruan atje brenda, një burrë i quajtur Sami Metalia.